“Deklarata e kryeministrit të “ashtuquajturës” Kosovë se çështja e demarkacionit me Malin e Zi do të zgjidhet me qeverinë e re të Malit të Zi, është “aspiratë e rrezikshme” dhe “provokim”, ka deklaruar kryeministri proserb në largim i qeverisë teknike në Podgoricë, Zdravko Krivokapiq.
Kryeministri Albin Kurti dje ka deklaruar se për demarkacion me Malin e Zi do të diskutojë me qeverinë e re në mënyrë që të përmirësohet gabimi i institucioneve të mëparshme të Kosovës, të cilët kanë dhuruar 8.200 hektarë të territorit.
“Deklaratën e zotit Kurti, me të cilën po paralajmëron aspirata të rrezikshme të shkeljes së integritetit territorial të Malit të Zi, unë e konsideroj si provokim të papranueshëm”, ka pretenduar Krivokapiq në llogarinë e tij në Twitter.
Kryeministri malazez në largim ka vërejtur se nuk ka asnjë reagim të Presidentit të Malit të Zi dhe, siç ka pretenduar ai, “të mandatarit kundër kushtetues, Dritan Abazoviq”./TV Malisheva

Share.