Shkruan: Afrim Kasolli – Takimi i paralajmëruar për 26 tetor ndërmjet Kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq në Bruksel në margjina të Samitit të Këshillit Evropian shënon “ballafaqimin” e tyre të parë pas ngjarjeve të 24 shtatorit, kur një grup i armatosur nga Serbia kishte kryer një inkursion ushtarak mbi territorin e Kosovës.
Po ashtu, ky takim mbahet pak ditë pas vizitës së emisarëve perëndimorë të prirë nga Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd.
Kjo vizitë, siç deklaruan vet të dërguarit e sipërcekur, ishte bërë më qëllim të shtensionimit urgjent të situatës dhe rikthimit të palëve në procesin e dialogut. Pak ditë më parë REL, kishte paralajmëruar se në bazë burimeve të saj diplomatike “Bashkimi Evropian do të dalë më kërkesa të qarta ndaj përfaqësueseve të dy shteteve, ku për Kosovën do të kërkohet ta bëjë pranimin e një drafti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa që Serbia t’i respektojë pa kushte obligimet nga aneksi i pranuar në Ohër për zbatimin e marrëdhënieve për normalizim Kosovë-Serbi”.
Madje, ekzistojnë “spekulime” se tashmë Blloku e ka paraqitur një propozim konkret për entitetin e Bashkësisë. Kurse nëse dy vendet nuk sillen konform kërkesave ndërkombëtare për dialog atëherë mund të priten masa të ashpra ndëshkuese ndaj tyre. Ndërkohë, Kryeministri Kurti, dje nga Athina deklaroi se “duhet shpejt të implementojmë atë për të cilën jemi marrë vesh”.
Mirëpo, rikthimi në procesin e negociatave në këto kushte shënon një dështim të jashtëzakonshëm diplomatik për shtetin e Kosovës dhe politikën e jashtme të tij.
Fillimisht pranimi me një lehtësi të padurueshme i këtij procesi dëshmon sesa jo serioze ka qenë kërkesa e vazhdueshme e drejtuesve shtetërorë të Kosovës se nuk mund të rikthehen në procesin e dialogut pa sanksionim ndërkombëtar të Serbisë. Apo edhe se ky proces nuk mund të vazhdojë sipas formulës së njohur “business as usual”.
Prandaj, me braktisjen e këtij qëndrimi vetëm sa relativizohet përgjegjësia e shtetit të Serbisë për agresionin e 24 shtatorit. Asnjë ndëshkim dhe sanksionim nuk është imponuar ndaj saj, pos që kërkohet vazhdim i hetimeve. Ndërkaq, Kosova vazhdon të jetë e ndëshkuar për veprimet e saj në veri.
Në këtë kontekst, sa i përket këtij procesi ky sulm thuajse nuk ka ndodhur fare. Ai nuk ka ndikuar asgjë në përmirësimin e pozicionit diplomatik të Kosovës. Përkundrazi, e ka dëmtuar. Dhe mbase e tërë kjo është edhe pasojë e kalkulimeve elektorale të Kryeministrit Kurti që të shfaqet si viktimë para simpatizantëve të tij, sesi ishte i detyruar të pajtohet me formulën e Asociacionit të propozuar nga BE-ja, për shkak të presioneve ndërkombëtare. Kurse ky “pranim i pavullnetshëm” u bë si për shkak se këtë obligim e ka të trashëguar nga pushtetet e kaluara, ashtu edhe për të shmangur tensionet e mëtutjeshme me BE-në dhe SHBA-të.
Mirëpo, veprimi sipas kësaj skeme ka konsekuenca fatale shtetërore. E para rezistenca e Policisë së Kosovës për të përballuar agresionin e Serbisë në veri përdoret si mjet për të legalizuar Asociacionin. E dyta e pranon vlerësimin se njëri nga shkaqet e agravimit të situatës së sigurisë në veri ka qenë pikërisht moszbatimi Bashkësisë, i cili ka qenë përgjegjësi e Kosovës. Dhe më kryesorja e dëmton në mënyrë të pa riparueshme sovranitetin e shtetit.
Sepse një shtet sovran detyrimet e veta i realizon vet dhe pa imponime të jashtme. Në këtë mënyrë që pushteti aktual që ta dëshmonte përkushtimin e tij për sovranitet është dashur të përfaqësonte dy opsione tjera, ose ta mohonte tërësisht këtë marrëveshje, ose ta jetësonte në saje të vullnetit të brendshëm. Por ai zgjodhi pikërisht rrugën më të gabuar të mundshme, që ta pranojë atë si të imponuar, në mënyrë që bartësit e pushtetit të shfajësohen para mbështetëseve të tyre.
Mbase këta të fundit edhe mund ta ndjejnë vetën të mashtruar nga ky përfundim i sagës së gjatë të Asociacionit, sepse e kishin votuar këtë pushtet në krye me Albin Kurtin pikërisht për ta mohuar me çdo kusht atë, por siç ka thënë në një rast filozofi i njohur polak Leszek Kolakowski “në politikë të qenit i mashtruar nuk është shfajësim- In politics being deceived si no excuse”.
Megjithatë, që ky proces të duket sa më i lehtë, tashmë e kemi një “plan të ri”, cili parasheh që të gjitha marrëveshjet e deritanishme duhet të zbatohen.
/TV Malisheva