Pas njoftimit të fundit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës se nga analizat fiziko-kimike ka dalë se uji nga liqeni i Badovcit ka vlera të rritura të manganit, Kompania Rajonale e Ujësjellësit Prishtina ka ulur prodhimin e ujit në 35% më pak, në mënyrë për të ruajtur kualitetin e ujti të pijshëm.

Zëdhënësja e kësaj kompanie, Arjeta Mjeku konfirmoi për KosovaPress se cilësia e ujit për momentin nuk është në gjendje të pastër për pije, pasi që gjatë monitorimit të ujit është vërejtur një sasi e manganit dhe menjëherë është ndërmarrë për zvogëlim të prodhimit të ujit.

Mjeku thotë se qytetarët që furnizohen nga liqeni i Badovcit do të furnizohen me reduktime, por që rekomandohet që ai ujë të mos përdoret për pije.

“Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” (KRU), respektivisht Departamenti i Ujit të pijshëm zakonisht e monitorojnë cilësinë e ujit të pijshëm edhe në ujin e pa trajtuar edhe në ujin e trajtuar, andaj gjatë këtij procesi të monitorimit nga të dyja palët kemi vërë re ngritje sasi të manganit të liqenit prej nga furnizohet 25% e qytetit të Prishtinës dhe 105 fshatra, Graçanica dhe Hajvalia. Në moment kur e kemi pranuar këtë informatë dhe me kërkesë të Departamentit të cilësisë së ujit, e kemi zvogëluar prodhimin e ujit nga 480 litra në sekondë, në 180 litra në sekondë ose rreth 35 %, në mënyrë që të ruajmë kualitetin e ujit të pijshëm. Pra, qytetarët që furnizohen nga sistemi i Badovcit tash kanë reduktime, marrin ujë sadopak, por duhet bazuar në rekomandimet e Institutit Kombëtar të Kosovës që ky ujë të mos konsumohet për pije, të mos e përdorin për gatim, por ta vlojnë së paku edhe pse nuk është një gjendje alarmante siç e shohin ekspertët nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, sepse nuk është një ngritje e lartë e manganit. Analizat jemi duke i marrë. Në moment që shohim që ka rënie të sasie të manganit në liqenin e Badovcit, ne e lëshojmë në prodhim”, tha Mjeku.

Mjeku shtoi se situata aktuale nuk është alarmante dhe nuk do të zgjasë shumë, ndërsa për momentin qytetarët po furnizohen me autobot deri në zgjidhjen e këtij problemi.

“Besojmë që kjo situatë nuk do të zgjasë shumë, por pse ka ndodhur kjo? Sepse është rritur sasia e manganit. Këtu ndodhet miniera e Kishnicës. Mangani është rritur për shkak se është një dukuri natyrore, kur netët janë të ftohta. Kjo nuk ndodh vetëm në vendin tonë, por edhe në vendet e tjera. Mënyra e vetme është furnizimi me autobot deri në qetësimin e situatës rreth furnizimit me ujë të pijshëm”, tha Mjeku.

Ndryshe, IKSHPK ka lajmëruar zonat të cilat janë të furnizuara me ujë me mangan e për të cilat rekomandon që uji të mos përdoret për pije dhe përgatitje të ushqimit deri në njoftimin e radhës.

Këto zona janë:

Qyteza e Graçanicës, fshatrat e Graçanicës që furnizohen nga ITUP Badovc, përveç fshatrave që furnizohen nga NJOU Lipjan, Ajvalia komplet, lagjet Veterniku, lagjet 038 dhe të gjitha tjerat që gravitojnë në brezin Graçanicë – Prishtine, lagjet Qendresa, Qendresa Home, Swiss Village, fshati Preoc, Cagllavicë, rruga “Behar Begolli”, “Richard Holbrooke”, Qendra “Albi Mall”, rruga “Shkupi”, “Holger Petersen”, “Malush Kosova”, objektet individuale nga rruga “Malush Kosova”, deri te “kisha në Matiçan”.

Po ashtu janë edhe zonat në drejtim të zonës industriale drejtimi për Lipjan, lagjja Qershia, lagjja NIC, zona afër Xhamisë në Veternik, Matiçan drejtimi nga Pallati i Drejtësisë, fshati ndërkombëtar, Mati rruga “Muharrem Fejza” me të gjitha rrugicat, drejtimi deri te QKUK, rruga “Enver Maloku”, objektet në lagjen Kodrina, objektet Tregtia, Iliria Building, objektet e Standardit (Sociale), dhe objektet e kyçura direkt ne linjat magjistrale Badovc Prishtinë, rruga “Ferat Dragaj”, “Hajrullah Abdullahu”, “Hilmi Rakovica”, “Vllezërit Gervalla”, “Afrim Zhitija”, “Armend Daci”, “Dervish Rozhaja”, “Thimi Mitko”, pjesa e zonës “te Xhambazët”, rruga “Sali Nivica”, “Norbert Jokl”, “Thimi Mitko”, objektet banesore në Bregun e Diellit, zonat Qendër dhe zonat tjera afër Qendrës Tregtare në brezin rrugor “Xheladin Rekaliu” deri te kryqëzimi i rrugës te Konviktet, zonat afër shkollës “Ismail Qemali”, rrugët “Mehmet Gradica”, “Hyzri Talla”, “Qamil Bala”.\

/TV Malisheva

Share.