Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot në takim gazetarin dhe publicistin Erich Rathfelder, një nga të parët që kanë raportuar nga Kosova, e me të cilin, sipas ZKM-së, ishin takuar së pari në fund të viteve të ’90-ta.
Rathfelder ka kujtuar periudhën kur ishte gazetar gjatë luftës në Kosovë, si dhe dëbimin që u bë nga Serbia, transmeton Reporteri.net.
“Duke u falënderuar për mikpritjen, z.Rathfelder shprehu mirënjohje për ngrohtësinë që ka ndjerë gjatë qëndrimit të tij në Kosovë. Ai vlerësoi përparimin që ka parë në Kosovë gjatë vizitës së tij. Ai solli në kujtesë përvojat e tij si gazetar i luftës, për ҫfarë në qershor të vitit 1998, ishte detyruar nga qeveria serbe që të largohej nga Kosova, pas raportimit të tij për vrasjet e popullatës civile shqiptare nga forcat e armatosura serbe, si dhe për ekzistencën e varrezve masive në Rahovec”, bëhet e ditur në komunikatë.
Ndërsa Kryeministri Kurti e ka uruar gazetarin Rathfelder për titullin “Qytetar nderi”, të ndarë nga Komuna e Rahovecit, për raportimin e drejtë dhe profesional të tij gjatë vitit 1998.
/TV Malisheva