Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Fehmi Kupina, nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka dhënë dorëheqje nga partia ndërsa ka bërë të ditur se nuk do t’i bashkohet asnjë partie apo grupi tjetër politike dhe do të jetë i pavarur.
Ai këtë e bëri të ditur gjatë një mbledhjeje të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës ku janë shkarkuar aksionarët e ndërmarrjeve publike.
Kupina nuk dha ndonjë arsye se pse çuan deri në marrjen e një vendimi të tillë.
Kupina: Tashmë jam anëtar i pavarur i Kuvendit komunal
“Para se të fillojmë me procedimin e mbledhjes ju njoftoj se me datën 08.06.2023, unë kryesuesi i kuvendit, jam anëtar i pavarur i Kuvendit të kryeqytetit dhe nuk do t’i përkas asnjë partie apo grupi politik, mandatin tim si kryesues i Kuvendit dhe si anëtar i pavarur do ta ushtroj në përputhje me ligjet e Republikës së Kosovës dhe do t’i jem besnik i secilit votues dhe secilit qytetar të Prishtinës. Do të përfaqësoj në një mënyrë të pavarur të gjithë qytetarët e Prishtinës dhe do të kujdesem që interesi publik i kryeqytetit të jetë në rend të parë”, deklaroi Kupina.
Gjatë kësaj mbledhjeje me 26 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim janë emëruar aksionarët e rinj të ndërmarrjeve publike në Prishtinë duke u larguar anëtarët nga LDK dhe PDK dhe duke u emëruar nga LVV, AKR dhe AAK.
/TV Malisheva