Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ka pritur sot në vizitë, ish zyrtarin e UNMIK-ut në Malishevë, Sayed Atiqullah, i cili është kthyer për vizitë private në Malishevë, ku kishte shërbyer për gjashtë vite në kuadër të misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNMIK).
Kryetari Begaj, e ka falënderuar për vizitën ish zyrtarin Atiqullah, si dhe për kontributin e tij gjatë shërbimit në Komunën e Malishevës, ku ka ndihmuar në ngritjen e shërbimeve komunale, sidomos në administratën e komunës dhe në shëndetësi e mirëqenie sociale, fusha në të cilat kishte punuar ai.
Ndërsa ish zyrtari Sayed Atiqullah, është shprehur i kënaqur me të arriturat dhe ndryshimet e ndodhura në Malishevë dhe në Kosovë në përgjithësi, nga koha kur kishte shërbyer e deri më sot, si dhe me zhvillimin që ka ndodhur. Ai gjithashtu e ka uruar kryetarin Begaj, për mandatin e dytë në krye të komunës. “Jam shumë i kënaqur me ndryshimet që kanë ndodhur, pasi përkundër sfidave ekonomike dhe politike, njerëzit kanë punuar shumë dhe vendi është zhvilluar”.