Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi e ka adresuar mundësinë e emërimit të një trajneri nga Kosova në krye të Kosovës, ndërsa ka treguar numrin e atyre që kanë aplikuar dhe kriteret që kërkojnë për emërimin e përzgjedhësit të ri.

Përfaqësuesja e Kosovës ka mbetur pa trajner pas përfundimit të ciklit kualifikues për Euro 2024, ku vendosen të mos vazhdojnë me trajnerin e përkohshëm Primoz Gliha.

Megjithatë, drejtuesit e FFK-së nuk po qëndrojnë duarkryq dhe tashmë janë duke u marrë me emrin e përzgjedhësit të ri, pasi ka shumë aplikime për këtë pozitë.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar vet i pari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i cili ka treguar edhe kriteret që po ndjekin.

“Secili e ka të drejtën e kandidimit, por gjithsesi duke i plotësuar kriteret dhe duke e njohur veten. Secili duhet ta njohë veten sepse nuk jemi në pozicion më me provu gjëra. Tash jemi në atë pozicion që me ditë se çfarë duam në secilin trajner që bëhet”, ka thënë fillimisht Ademi në Ora 7 të Klan Kosovës.

“Ëndërr e jona është ta bëjmë një trajner kualitativ vendor. Për të gjitha gjërat, ne po mundohemi me çdo kusht ligës vendore, trajnerëve edhe krejt me edukim dhe të gjitha, por te puna e ekipit A nacional, është drejt për së drejti prezantim i shtetit në nivelin ma të lartë”.

“Te A-ja me këdo që flasim, me këdo që e caktojmë trajner, jemi shumë të saktë dhe shumë të qartë. Janë tri komponentë. Komponenti i parë është sa na njeh, sa i njeh lojtarët tonë, secili trajner që vjen. Normalisht, favorizohen vendorët se i njohin ma mirë”.

“Cila është CV-ja e tij, karriera e tij ndërkombëtare nëse është e tillë, edhe pjesa tjetër është ekonomike. Nuk jemi ne federatë fortë, e madhe, me marrë trajnerë milionësh”.

 

Ademi ka thënë që po ka shumë interesim edhe nga emra të mëdhenj që të bëhen selektorë të Kosovës, dhe se deri tash diku 27-28 trajnerë kanë konkurruar në FFK. /Telegrafi/

/TV Malisheva

Share.