Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, bashkë me nënkryetarin Vesel Krasniqi dhe kryesuesin e Kuvendit Komunal, Argjend Thaçi, si dhe përfaqësues të Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, sot në ambientet e Asamblesë Komunale, kanë pritur në takim dhjetëra fermerë të komunës së Malishevës, të cilët njëherit janë shpallur edhe përfitues të serave bujqësore për vitin 2022.
Në një fjalë rasti, Kastrati, para fermerëve të pranishëm tha se, Komuna e Malishevës është shumë e përkushtuar për t’i përkrahur ata, madje mes tjerash theksoi edhe veprimet që ka ndërmarrë deri më tani në funksion të këtij sektori.
Kastrati përmendi disa nga vendimet që ka nënshkruar gjatë këtij gjashtë mujori të parë të qeverisjes, si; Vendimi për subvencionimin e qumështit 3 cent për litër, për fermerët te cilët dorëzojnë qumësht në Pikat Grumbulluese, vendimi për furnizim me farë gruri për fermerët te cilët nuk janë përkrahur nga Ministria e Bujqësisë, vendimi për furnizim me Bidona të Aluminit për fermerët që dorëzojnë qumësht në Pika Grumbulluese, si dhe vendimi për përkrahjen e bletarëve përmes pagesave direkte për vitin 2022.
Gjithashtu, përfituesit e serave bujqësore kanë falënderuar kryetarin Kastrati dhe Komunën e Malishevës në përgjithësi, për gjithë kujdesin dhe përkrahjen që po i japin fermerëve dhe bujqësisë në përgjithësi.
Në fund, kryetari Kastrati bashkë me nënkryetarin Krasniqi dhe kryesuesin Thaçi, kanë shpërndarë edhe kontratat për fermerët që kanë përfituar sera bujqësore për vitin 2022.
/TV Mlisheva