Kryetari i Malishevës, Ekrem Kastrati, sot ka mbajtur diskutimin e parë publik dhe tejet konstruktiv me kryetarët e fshatrave të Komunës së Malishevës.

 Në këtë diskutim publik, ku i pranishëm ishte nënkryetari, Vesel Krasniqi, kryesuesi i Kuvendit, Argjend Thaçi,  gjithë drejtorët e Komunës së Malishevës, dhe përfaqësuesit e kompanive publike, Hidroregjioni dhe Ekoregjioni, është diskutuar lidhur me çështjen e furnizimit me ujë të pijes, mirëmbajtjen e mjedisit dhe projektet komunale që janë në realizim dhe të planifikuara për vitin 2022, për secilin fshat.

 Fillimisht, kryetari Kastrati, gjithë kryetarëve të fshatrave ju uroj mirëseardhje në takimin e parë me karakter pune, për të vazhduar më pas me diskutimin e pikave të rendit të ditës. Lidhur me pikën e parë, kryetari Kastrati tha se, të gjithë e dimë se situata e furnizimit me ujë të pijes në Komunën e Malishevës, nuk është e mirë, dhe si rrjedhojë e kësaj ne kemi ndërmarrë disa hapa, duke zhvilluar takime me institucionet qendrore, por edhe me drejtuesit e Kompanisë Rajonale te Ujësjellësit “Gjakova”, me të cilët kam diskutuar lidhur me mundësinë e realizimit të projektit për të kyçur komunën tonë në sistemin e Radoniqit.

 Si rezultat i gjithë këtij angazhimi tonë, ditë më parë Këshilli Ndërministror për Ujëra, ka marrë vendim që të formohen grupet punuese për gjetjen e zgjidhjeve për furnizim me ujë nëpër komuna, ku Komuna e Malishevës është përzgjedhur si ndër të parat që kanë nevojë imediate për t’i ofruar zgjidhje, theksoi kryetari Kastrati.

 Gjithashtu, kryetari Kastrati tha se, ne si Komunë kemi vazhduar edhe bashkëpunimin me kompaninë që operon tek ne, Hidroregjionin Jugor, me të cilën kemi rënë dakord që sa më parë të nënshkruajnë një Memorandum Mirëkuptimi, që i hap rrugë inicimit të disa projekteve konkrete, në funksion të shfrytëzimit maksimal të burimeve ekzistuese të ujit, si dhe mundësisë së rritjes së kapaciteteve në mënyrë që të bëjmë zgjidhje për të gjitha fshatrat e komunës sonë.

 Ndërsa, lidhur me pikën e dytë, që ka të bëj me mirëmbajtjen e mjedisit, kryetari Kastrati para kryetarëve të fshatrave tha se, kjo është një çështje që na sfidon dhe na bashkon të gjithëve, pa dallim.

 “Muajin Prill e kemi shpallur muaj te pastrimit të ambientit, dhe në funksion të kësaj më datë 5 Prill kemi marrë një aksion të madh të pastrimit, ku i janë përgjigjur të gjitha institucionet lokale dhe qytetarë të shumtë. Në bazë të planit, Prilli Muaj i Pastrimit të Ambientit, drejtoria përkatëse në bashkëpunim me kompaninë Hidroregjioni, ditëve në vijim do të vazhdojnë me aktivitete tjera, ku përmes këtij aksioni të pastrimit, do të vazhdojmë edhe me eliminimin e pikave inerte nëpër fshatrat e Komunës së Malishevës”, theksoi kryetari Kastrati.

 Ndërsa, lidhur me pikën e tretë të diskutimit, realizimi i projekteve nëpër fshatra, është zhvilluar një diskutim i mirëfilltë, ku kryetarët e fshatrave kanë ngritur çështje dhe kanë adresuar pyetje lidhur me projekte të ndryshme nëpër fshatrat që përfaqësojnë, ku për të gjitha këto, përgjigje kanë marrë nga kryetari Kastrati, nga drejtorët që ishin të pranishëm, dhe nga përfaqësuesit e kompanive publike.

 Në këtë takim, ka folur edhe nënkryetari Vesel Krasniqi, ku mes tjerash ai ka diskutuar, lidhur me vendim e kryetarit Kastrati për formimin e një Task Force Komunale, e cila ka për qëllim menaxhimin e situatës emergjente, lidhur me kujdesin për një mjedis sa më të pastër, konkretisht për menaxhimin e mbeturinave inerte dhe mbeturinave tjera në territorin e komunës së Malishevës, por edhe me pikën e mësipërme të cilën e diskutuam, pra; gjendjen e furnizimit me ujë të pijes.

 Në këtë takim veç këtyre 3 pikave bazë, është diskutuar edhe për çështje tjera me rëndësi, për subvencionet në bujqësi, parandalimin e përhapjes së etheve hemorragjike, infrastrukturës shkollore, etj.

 Kryetari Kastrati i falënderoj drejtuesit e fshatrave për pjesëmarrjen në takim dhe për debatin konstruktiv që i shërben një qeverisje sa më të mirë e gjithëpërfshirëse, dhe i siguroj që secila kërkesë e tyre që është shtruar në këtë takim, do të trajtohet në kohë nga drejtoritë tona përkatëse.

 Në fund, kryetari Kastrati, tha se këto diskutime publike do ti mbajmë prapë, ashtu siç janë të parapara edhe me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale.

Share.