Kryetar i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj dhe drejtori i Drejtorisë për Arsim dhe Edukim, Blerim Thaçi, e kanë pritur sot në takim pune, ministrin e Ministrisë për Arsim dhe Shkencë, Ramë Likaj, me të cilin kanë biseduar për përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollorë dhe për çështje tjera në arsimin e Malishevës.
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, pasi e falënderoi për vizitën, e njoftoi ministrin me investimet e komunës në infrastrukturën shkollore, përderisa shtroi edhe nevojën e përmirësimit të gjendjes së përgjithshme në arsim.”Ne kemi investuar shumë objekte shkollore me qëllimin e vetëm, që të përmirësojmë kushtet në shkollat tona dhe me këtë të rritet e cilësia në arsim. Kërkoj nga ana e ministrisë që të ndihmoj më shumë Malishevën në fushën e arsimit”, tha Begaj.
Ndërsa drejtori i arsimit në Malishevë, Blerim Thaçi, e njoftoi ministrin me gjendjen aktuale të shkollave, me përfundimin e procesit mësimor dhe përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor. “Ne i kemi mbi 70 përqind të objekteve shkollore, që punojnë me një ndërrim dhe jemi duke u angazhuar që të gjitha shkollat të punojnë me një ndërrim, ndërsa sa i përket përfundimit të procesit mësimor, ne me sukses e kemi përfunduar këtë vit, pasi kemi krijuar edhe platformën digjitale për mësimin online dhe jemi duke u përgatitur edhe për fillimin e vitit të ri shkollor”, tha drejtori Thaçi.
Ministri i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, e ka përshëndetur platformën digjitale të mësimit online, duke e vlerësuar Komunën e Malishevës, si njëra prej më të suksesshmeve në këtë drejtim dhe sipas ministrit, Malisheva dhe Prishtina janë model më i mirë e mësimit online me këtë platformë.
Më pas ministri u interesua edhe për nevojat që ka Malisheva, në fushën e arsimit, përkatësisht nevojat që kanë shkollat, për çerdhet dhe për çështje të tjera, për të cilat drejtori i arsimit Blerim Thaçi e ka njoftuar në detaje./Tv Malisheva