Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, vlerëson se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duhet ta dorëzojë në Gjykatë Kushtetuese kërkesën e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për dekretim të Blerim Isufajt në pozitën e kryeprokurorit të shtetit.
Në emisionin “FIVE”, Kryeziu ka thënë se kjo procedurë nuk mund të zgjasë edhe shumë muaj, pasi i takon procedurave shtetërore dhe mund të zgjasë deri në 2 muaj.
“Presidentja duhet ta dorëzojë kërkesën e KPK-së në Kushtetuese, kjo procedurë nuk zgjat edhe shumë”, ka thënë Kryeziu.
Sipas tij, ky rast është i padëgjuar më parë dhe në bazë të procedurave ligjore duhet të kthehet në pikën zero dhe jo të propozohet emri i njëjtë.
“Për herë të parë ka ndodhur, procedurat duhet të fillojnë nga fillimi, është rast i padëgjuar më parë. Nuk e kam parë ende letrën a kanë kërkuar të riemërohet përsëri apo kanë dhënë arsyetim”, ka vijuar ai.
Ndërsa, avokati Arbër Jashari ka thënë se as presidentja dhe as KPK-ja nuk po tentojnë të dalin nga kriza, por vetëm po e thellojnë atë.
“Të dy palët nuk janë të interesuara të dalin nga kriza, më vjen keq presidentja e ka mbajtur këtë procedurë pezull që 1 javë e gjysmë”, ka thënë Jashari.
Ndryshe, sot, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka dorëzuar sërish në Presidencë emrin e Blerim Isufajt për dekretim në pozitën e kryeprokurorit të shtetit.
Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” anëtarja e KPK-së, Jehona Grantolli.
“Po, është e vërtetë që e kanë dërguar edhe një herë, po po Këshilli me vendim”, tha Grantolli.
Po ashtu, edhe anëtari tjetër i KPK-së, Arian Gashi, tha se ishte formuar një grup që ka analizuar çështjet e ngritura dhe pastaj e ka dhënë secili qëndrimin.