Deputetët e Komisionit për Punë të Jashtme, në takimin me ambasadorin gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, kanë shprehur shqetësimet në lidhje me qasjen e Serbisë në procesin e dialogut.

Kështu ka thënë kryetarja e këtij komisioni, Arbreshë Kryeziu, e cila ka shtuar se në takimin e sotëm është diskutuar edhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës, NATO dhe në Bashkimin Evropian.

“Kemi folur në përgjithësi me ambasadorin për çështjet që kanë të bëjnë me anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës, aspekte që ndërlidhen me NATO-n dhe pastaj edhe çështje të anëtarësimit të Kosovës në Bashkim Evropian, investimet ekonomike në vendin tonë, po ashtu edhe për çështjen e procesit të dialogut, një pjesë e kohës u nda edhe për të diskutuar për çështjet që ndërlidhen në këtë proces. Ndërkohë nuk kemi folur për Visametric-un dhe nuk di çfarë të ju them për këtë çështje sepse mendoj që është çështje që mund ta kishit sqaruar me ambasadorin”, ka thënë Kryeziu.

Më tej, ajo ka shtuar se në këtë takim kanë folur edhe për qasjen dekonstruktive të Serbisë dhe shkeljen e marrëveshjes së Ohrit.

“Ne si deputetë i ndamë qëndrimet e tona sa i përket procesit të dialogut, duke nisur prej momentit kur Kosova e ka pranuar planin franko-gjerman, në kuadër të cilit plan janë dalë dy marrëveshje shumë të rëndësishme, ajo e Ohrit dhe tjetra e Brukselit. Dhe mbi cilin plan po vazhdon faza e re e dialogut. Kemi ndarë edhe shqetësimet tona për faktin që Serbia vazhdon të jetë de konstruktive qysh në orët e para prej kur është marrëveshja në Ohër dhe vazhdon ta shkel dhe mos ta pranojë asnjërën prej pikave të cilat palët janë dakorduar në kuadër të procesit të dialogut. Sigurisht kemi kërkuar që Bashkimi Evropian të jetë më vigjilent sa i përket qasjes së Serbisë dhe të kërkojë nga Serbia llogari më shumë sa i përket implementimit të pikave që janë në kuadër të marrëveshjes”, ka deklaruar Kryeziu pas takimit.

Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme është pyetur edhe në lidhje me operatorin VisaMetric, për të cilin Gjykata Komerciale në të dyja shkallët ka vendosur t’ia ndalojë detyrimin për qytetarët nga 30 euro.

Kryeziu ka thënë se për këtë çështje nuk kanë diskutuar me ambasadorin gjerman, Jorn Rohde.

”Çfarë është interesante për ne për ta pyetur ambasadorin, besoj që diskutohet bashkërisht në komision dhe agjenda për këtë takim të sotëm është bërë tashmë prej disa ditëve, për të mos thënë ka më shumë se 10 ditë që veçse kemi dërguar kërkesën për ambasadorin dhe kemi treguar se cilat janë çështjet me interes për të cilat ne dëshirojmë të flasim. Çështja e Visametric-ut sigurisht që do të jetë çështje që do të kemi për të diskutuar dhe unë do ta kontaktojë personalisht ambasadorin dhe do të flas ekskluzivisht për çështjen e VisaMetric, por përderisa sot nuk ka qenë pjesë e agjendës, nuk mund të ju them që është kjo apo ajo. Sigurisht që është e padrejtë nëse i ndodhë kjo secilit qytetar të Republikës së Kosovës”, ka shtuar Kryeziu.

/TV Malisheva

Share.