Edhe pse nuk arriti ta fitonte medaljen e bronztë, Blin Kuka fitoi zemrat e të pranishmëve ku u duartrokit gjatë për luftën që e zhvilloi ndaj xhudistit spanjoll, Ramirez Perez në Festivalin Olimpik Veror për të rinj EYOF Maribor 2023.
Kuka është renditur në vendin e pestë në EYOF Maribor 2023, ku njëkohësisht ky ishte suksesi më i madh i ekipit tonë në këtë Festival Olimpik.
Kuka u mposht për shkak të tri dënimeve të marra nga gjyqtarët dhe atë vetëm në kohën kur lufta zhvillohej për pikë të artë.
Nga ekipi ynë, sot në gara ishte edhe notarja Adea Hoxha, e cila garoi në 50 metra stil të lirë dhe arriti të përmirësojë rezultatin e saj, duke përfunduar me kohë, 29.47 sekonda, pozita 37.
Me Kukën e Hoxhën, kanë përfunduar të gjitha garat e ekipit tonë në EYOF Maribor 2023, ku rezultatet më të mira janë vendi i 5-të i arritur sot dhe vendi i 7-të me xhudisten, Laurina Gashi.
/TV Malisheva