Ka disa gjëra shumë të rëndësishme që duhet t’i keni parasysh, para se të vendosni të largoheni nga një vend pune dhe të aplikoni për një punë tjetër.
Fillimisht, analizoni se çka keni arritur deri në një moment të caktuar dhe ku dëshironi të jeni pas disa viteve. Gjithmonë, analizoni edhe anët e mira dhe përfitimet që keni nga puna e tanishme.
Përpos kësaj, përgjigjuni edhe në pyetjet si:
Çka ju pëlqen dhe çka jo në punën e tanishme?
Çka ju duket se mungon?
Çfarë pengesa keni?
Përgjigjet në pyetjet e mësipërme do t’ju ndihmojnë të kuptoni se a është koha e duhur për të konsideruar mundësi të reja të punësimit. Mundohuni që të jeni shumë të sinqertë dhe të arsyeshëm në përgjigjet e këtyre pyetjeve. Diskutoni edhe me miqtë apo familjarët para se të merrni një vendim.
Është shumë efektive edhe nëse i shkruani në një letër të gjithë minuset dhe pluset që keni nga puna e tanishme. Mirëpo, asnjëherë mos aplikoni për një punë të re në rast se nuk e dini se çka doni, si dhe mos e lini një punë vetëm për shkak se keni pasur një ditë apo një javë të keqe.
Ka disa arsye që mund t’ju shtyjnë drejt largimit nga pozita e punës dhe dëshirës për të aplikuar për mundësi të reja. Disa prej tyre përfshijnë:
Vështirësitë financiare
Ndryshimin e kulturës brenda kompanisë
Problemet në komunikim me menaxherin ose kolegët
Në rast se e keni marrë vendimin të largoheni nga një pozitë pune dhe të aplikoni për punë tjetër, aplikoni për punë për të cilat jeni të kualifikuar dhe ku keni gjasa të përzgjidheni, si dhe ndiqni hapat në vijim:
Gjeni kohën e përshtatshme
Largimi nga puna në kohën e gabuar mund t’ju dëmtojë shumë, edhe në aspekt financiar por edhe në zhvillimin tuaj profesional. Prandaj, është shumë e rëndësishme që një vendim të tillë ta keni marrë në një kohë të duhur. P.sh, është shumë e gabuar ta lini një punë pa e pasur një ide se çka do të bëni pasi ta keni lënë punën.
Çdo ndryshim i shpejtë mund të ndikojë në jetën tuaj. Ndërkaq, sa i përket periudhave specifike se kur preferohet të shikoni për punë të reja, janë muajt shkurt dhe tetor. Kjo për shkak se të gjithë kthehen nga pushimet dimërore dhe verore, dhe punëdhënësit janë në kërkim të fuqisë punëtore.
Sigurohuni që e dini se ku mund të shkoni
Para se ta njoftoni punëdhënësin tuaj se dëshironi të largoheni nga pozita e punës, sigurohuni që të keni ku të shkoni. Është shumë më e lehtë të gjeni një punë të re, derisa jeni duke punuar. Pra, mos e lini punën dhe pastaj të aplikoni për punë të reja.
Aplikoni në më shumë se një vend pune sepse kështu gjasat do të jenë më të larta për ta gjetur një punë të re. Një tjetër arsye pse nuk duhet ta lini vendin e tanishëm të punës pa siguruar diçka tjetër, pavarësisht problemeve që mund të keni, është sepse mund të mos e gjeni një vend të përshtatshëm pune menjëherë pasi ta keni lënë punën e vjetër. Një gjë e tillë mund të çojë në periudha të gjata të papunësisë dhe kjo mund të jap mesazh të keq tek punëdhënësit e ardhshëm.
Diskutoni rreth mundësive për përmirësim
Nëse mendoni që nuk paguheni mjaftueshëm për punën që e bëni, keni nevojë për më shumë përgjegjësi, më shumë vlerësim etj., e para gjë që duhet të bëni është të adresoni problemin. Kjo mund të tingëllojë si diçka e vështirë për t’u bërë por mund ta zgjidhë problemin tuaj. Nëse kërkesat tuaja refuzohen dhe nuk ka hapësirë për përmirësim, atëherë mund të shqyrtoni nëse vërtetë ka ardhur koha për t’u larguar./Tv Malisheva