“Në formulim të çdo rregulle do të jetë e pranishme vetëdija që është puna për një drejtshkrim të caktuar jo për disa mijë veta, po për katër milion njerëz që e kanë shqipen gjuhë amtare.”

Kjo ishte fraza përmbyllëse e fjalës së E. Çabejt në atë kuvend mbarëshqiptar.

Fjalimin e plotë mund ta lexoni këtu më poshtë:

MBI DISA ÇËSHTJE TË TRADITËS SË SHKRIMIT DHE TË DREJTSHKRIMIT TË SHQIPES

Kur Komisia Letrare e Shkodrës, në “Parimet e rregullat” që caktoi për drejtshkrimin e shqipes aty nga fillimi i vitit 1917, vendosi që zanorja ë e pathekse, grupet zanore ie, ue, ye dhe grupet bashkëtingëllore mb, nd e ngj do të shkruhen të plota ashtu si i ruan këto toskërishtja e pjesërisht dhe disa nëndialekte të gegërishtes, ajo mund të shtonte e të thoshte që ashtu të plota kanë ekzistuar ato dhe janë shkruar pak shekuj më parë në krejt truallin e gegërishtes dhe se janë të gjithmbarshme të gjuhës. Dihet se shkrimtarët e vjetër të Veriut, të shekullit XVI e XVII, gjer aty nga mesi i shekullit XVIII, Gjon Buzuku, Pjetër Budi, Frano Bardhi, Pjetër Bogdani, Gjon Nikollë Kazazi e të tjerë, ndër ta edhe ndonjë anonim, ruajtës të një tradite gojore e shkrimore të gjuhës, i kanë përdorur të plotë këta tinguj, këto grupe zanoresh e bashkëtingëlloresh, dhe se më anë tjetër këto ndihen dhe sot e kësaj dite në disa treva anësore e si të tilla më konservative të fushës dialektore të gegërishtes. Në kohën e shpërnguljes së elementit shqiptar për në Itali, i cili rridhte kryesisht prej krahinave jugore të vendit, disa nga tiparet themelore të dallimit midis dialekteve kishin zënë vend me kohë në gjuhë, po më anë tjetër disa të tjera ndryshime që vërehen në shekujt e mëpastajmë, ende nuk kishin marrë rrugë; në vend të tyre ishin në përdorim fjalë, forma fjalësh dhe ndërtime fjalish të përbashkëta për mbarë gjuhën. Shohim kështu që midis gjuhës që përdor p.sh. Gjon Buzuku prej Veriu dhe asaj që shkruajnë arbëreshët e Italisë duke nisur me Lekë Matrangën prej Siqelie krahas me dallimet dialektore ka edhe pika takimi të shënueshme. Pika takimi të tilla vërehen edhe midis gjuhës së atij autori dhe dialekteve shqiptare të Greqisë, si edhe midis këtyre dialekteve dhe atyre të Italisë më njërën anë, dhe gjuhës të së tjerëve autorë të vjetër të Veriut më tjetrën anë. Shkurt pra, në këto variante gjuhësore të Veriut e të Jugut, dialektore e letrare, pasqyrohet kudo në vijat e saj të përgjithshme një shqipe e kalimit nga koha paraturke në kohën e parë të sundimit osman, nga perioda paraletrare në periodën letrare. Është një njësi gjuhësore që manifestohet në variacione të shumëllojshme.
Për arsye të ndryshme të karakterit historik, ekonomik e social, me mungesën e një organizimi shtetëror të mirëfilltë e të një qarkullimi rrugor të rregullt, me shpërnguljet e brendshme të popullsisë sidomos prej katundeve në qytete, me rrugët e ndryshme të marrëdhënieve tregtare, me kontaktet e pakta krahinë me krahinë, me dallimet fetare të reja që erdhën e iu shtuan dallimeve konfesionale që ekzistonin qëmoti në vend, për këto e për të tjera arsye, që është vështirë të gjurmohen në hollësitë e tyre, ligjërimet e ndryshme të shqipes në periodën osmane morën një rrugë jo aq afruese sesa më fort larguese, pra në një farë vështrimi një zhvillim më fort divergjent se konvergjent. Këtyre arsyeve të një karakteri të përgjithshëm jashtëgjuhësor vjen e u shtohet edhe një faktor i natyrës gjuhësore. Tradita e shkrimit, e cila në kohët e para kishte marrë një hov të ri në Shqipëri, për disa rrethana të brendshme e të jashtme, më një anë për t’i vënë sadopak një ledh depërtimit të fuqishëm të islamizmit në vend, më anë tjetër duke u përfshirë në fushatën e Kundërreformës në Europë, vërtet se nuk u ndërpre krejt në periodën prej shekullit XVI gjer në Rilindjen letrare të shekullit XIX, si vazhdon të mendohet shumëkund gjer më sot, po megjithatë ra fashë në shumë pikëpamje. U kufizua më një anë në një letërkëmbim tregtar e privat, më anë tjetër në shkrime të hartuara me qëllime praktike të shërbimit fetar, më anë tjetër me disa shkrime letrare laike të një karakteri pak a shumë privat, që mezi qarkullonin përbrenda disa rretheve shoqërore të ngushta. Asnjë nga këto shkrime, fetare e laike, nuk arriti të ngrihej në shkallën që të shihte dritën e botimit. Arsyet për këtë vetëm pjesërisht mund të kenë qenë të natyrës praktike, si do të ishin mungesa e shtypshkronjave dhe e mjeteve pekuniare. Arsyeja kryesore e këtij shkimi mbrapa, e kësaj rënieje letrare do kërkuar më fort në mungesën e një ideje sociale më të përgjithshme, e cila në çdo vend e në çdo kohë ka vënë njerëzit në lëvizje dhe ka gjetur mjetet e realizimit. Mungesa e një ideje të tillë bëri që këto shkrime mbetën qëllim në vetvete dhe nuk patën asnjë lidhje, asnjë konvergjencë në mes të tyre.
Gjuhët e përbashkëta të shkrimit e të literaturës zakonisht ndërtohen mbi një bazë dialektore të caktuar. Kjo ndërkaq përbën pikënisjen për një zhvillim të mëtejmë, nuk merret e gjitha ashtu si është, në tërësinë gjuhësore konkrete të saj. Shpeshherë asimilohen në atë mes edhe elemente të ndonjë dialekti tjetër ose dialektesh të tjera, ndonjë nga tiparet fonetike, morfologjike, sintaktike a leksikore të tyre, të cilat vijnë e integrohen në sistemin e gjuhës së përbashkët, ose përndryshe shërbejnë si model për të modifikuar ndonjë tipar të kësaj, që si tepër i veçantë ndihet nevoja që t’i shtrohet një reformimi. Krahas me këto procese të një karakteri aktiv vërehet në atë mes edhe një proces i përkundërt, më fort negativ, i cili konsiston në këtë, që dialektet e tjera me kohë heqin dorë nga disa tipare vetiake të tyre, gjë që u hap rrugë formave të përgjithshme, lehtëson derdhjen e këtyre përrenjve në lumin e përbashkët të gjuhës. Arsyet që determinojnë marrjen e një dialekti të caktuar si bazë të përbashkët të gjuhës së shkrimit mund të jenë të ndryshme, sikundër tregon edhe vëzhgimi i formimit të gjuhëve letrare të popujve të ndryshëm të Europës. Aty ndikon ku epërsia kulturore e sociale e një krahine të caktuar të vendit, ku pozita qendrore e një dialekti, ku ekzistenca e një tradite letrare të formuar, që nëpërmes të një shkrimtari a disa shkrimtarëve me format arrin në një formë të përpunuar të gjuhës dhe bëhet kështu model për të tjerët, sikundër ndodhi p.sh. në Itali. Më shpesh vihet re ndërkaq se aty kanë çuar peshë si faktorë vendimtarë prestigji i një epërsie politike dhe të tjera arsye jashtëgjuhësore. Përgjithësisht mund të thuhet se zakonisht të gjitha këto komponente ndikojnë së toku në formimin e një gjuhe të përbashkët, natyrisht në shkallë e me përpjestime të ndryshme, ku më shumë njëra, ku tjetra.
Po të këqyret së këndejmi gjendja e shqipes si gjuhë shkrimi e literature, ajo mund të përvijohet shkurt në këtë mënyrë:
I pari dokument i datueshëm i gjuhës shqipe, Formula e Pagëzimit e vitit 1462, pra e epokës së Skënderbeut, në pajtim me rrethanat e kohës ruan një tipar dialektor të dallueshëm, shpertit për “shpirtit” të ligjërimit të Matit. Duke kaluar te shkrimtarët e mëpastajmë, me Gjon Buzukun në krye, vihet re më një anë një shkallë mjaft e përpunuar e gjuhës, një gjuhë letrare, më anë tjetër një formë gjuhësore me tipare mjaft të përbashkëta, me gjithë ndryshimet lokale në trajtat e fjalëve. Këto rrethana flasin për dy sende: E para, që gjuha ka qenë shkruar edhe më parë, gjë që dëshmon shprehimisht që më 1332 arqipeshkvi i Tivarit Guillelmus Adae, i cili njihet dhe me emrin Brocardus. E dyta, që këta autorë nuk kanë shkruar në dialekt me kuptimin e mirëfilltë të fjalës, po në një formë mbidialektore të gjuhës, në një farë koineje të Shqipërisë Veriore, me pikësynim që shkrimet e tyre të ishin të kuptueshme për një masë më të hapët besimtarësh. Kjo shihet qartë nga karakteri mjaft konvergjent i gjuhës së tyre, megjithëse ata rridhnin, sikundër dihet, prej krahinash së ndryshme të kësaj treve. Vetë dubletat që ndeshen në veprën e Buzukut, kun dhe kon, ordhënit e ordënit, lem edhe letë, thanë e thashunë etj., tregojnë që ky autor herë ngrihej në një formë gjuhësore më të përgjithshme, herë binte në ligjërimin lokal të vetin; kurse te pasardhësit e tij lëkundjet janë më të rralla, norma gjuhësore paraqitet e ngulur më mirë, ka shkuar më përpara.
Duke kaluar përsipër fazës së një fare amullie që u ravizua më lart dhe duke ardhur në shekullin XIX, shihet se idetë e shekullit të dritës (shekullit XVIII) dhe ato të romantizmit nisin e përhapen dhe në Shqipëri edhe në diasporën shqiptare. Romantizmi, i cili në Europën Juglindore u shtri më vonë, në një kohë kur në Perëndim kishte zënë fill natyralizmi, në këto vise, në pajtim me kushtet sociale e politike, zhvilloi më fort anën nacionale. Ndihmoi në zgjimin e ndjenjës së kombësisë, në vlerësimin e gjuhës amtare, në dashurinë për poezinë popullore dhe në përpjekjet për mbledhjen e saj, shumëkund nën shtysën e ideve të Herderit rreth vlerave të këngës popullore europiane. Në trevën shqiptare pemët e para të kësaj lëvizjeje mendore, e cila këtu ndërkaq u ushqye edhe me ide të shprehura që më parë nga disa fuqi të vendit, u dukën së pari, që në gjysmën e parë të atij shekulli, tek arbëreshët e Italisë me Jeronim De Radën në krye. Shkrimtarët e Rilindjes e çuan më tej këtë lëvizje dhe e ngritën në një shkallë nacionale. Për mbledhjen e folklorit pak u bë, me përjashtim të “Bletës shqipëtare” të Th. Mitkos; po ç’u la mënjanë në këtë fushë, u kompensua më së miri me anën letrare e gjuhësore. Visaret e ligjërimit popullor zunë të mblidhen e të hyjnë në literaturë, më anë tjetër gjuha letrare u pasurua me leksema të reja, pjesërisht të marra prej gurrës popullore ashtu si ishin, pjesërisht të farkuara kryesisht me lëndë gjuhësore të vendit, edhe pse shpeshherë si kalke, si përkthime, pas gjedhes së gjuhëve të tjera, përbrenda kuadrit të leksikut modern ndërkombëtar. Nuk është vendi këtu të shtjellohet në hollësitë e saj puna e kryer në këtë drejtim prej K. Kristoforidhit, J. Vretos, N. Frashërit, S. Frashërit, më vonë prej F. Konicës, F. Nolit, L. Gurakuqit e të tjerëve. Vetëm do të përmendet që Tahir Boshnjaku prej Gjakove që më 1835 shtiu në përdorim disa fjalë si mësues, nxanës, digues, dis, folës, kallxues, shtis, e të tjera si pështim, randim, rrënim, rrëzim, të cilat me të tjera rrugë u bënë pastaj pronë e leksikut abstrakt të gjuhës shqipe. Duke e shikuar punën e kryer prej shkrimtarëve të shekullit të XIX në tërësinë e saj, shihet se ka një vijë zhvillimi në thelb të pandërprerë që nga tradita letrare e shekujve të mëparmë, një rilindje të vërtetë të asaj tradite të vjetër, edhe m’anë tjetër një fill të pakëputur që shpie në rrethanat e sotme.
Po të shtrohet pyetja nëse në formimin e një gjuhe të përbashkët sidomos në shkrim, ka marrë pjesë në një masë më të madhe veprimtaria gjuhësore-letrare apo komponentja e fuqive jashtëgjuhësore, për Shqipëri përgjigjja është kjo, që – si në shumicën e vendeve të Europës – shtysa kryesore erdhi nga ana e këtyre fuqive. E ngritur që më parë në një shkallë më të lartë të përdorimit dhe e gatitur për një zhdrivillim të mëtejmë nga puna e kryer në shekullin e kaluar, shqipja mori formë si gjuhë shkrimi me tendencë për njësim në të ardhmen, kryesisht që prej themelimit të një shteti shqiptar e këtej, që kur ajo u bë shprehje e një njësie shtetërore të centralizuar. Kjo gjë gjeti pasqyrimin e saj dhe në shkrim dhe në drejtshkrim, në fushën fonetike poaq sa në leksik, dhe u zhvillua përherë e më shumë në këto fusha. U arrit me kohë në njësimin e disa trajtave fonetike e gramatikore, në ndjekje të rregullave të Komisisë Letrare të Shkodrës dhe të Kongresit të Lushnjës të vitit 1920. Puna më e madhe aty u krye ndërkaq në pasurim të visarit të fjalëve. Me rrethanat e reja që u krijuan u desh të plotësoheshin nevojat e gjuhës së administratës e të fushave të tjera të veprimtarisë shtetërore, të ekonomisë, të teknikës, të arsimit e të kulturës, të sferës ushtarake etj. Për hir të së vërtetës duhet të thuhet se kjo punë jo e pakët, më shumë se prej personalitetesh të njohura, e prej shkrimtarësh e studjuesish të gjuhës, u krye prej masës anonime, prej nëpunësish të thjeshtë, administratorësh, juristësh, arsimtarësh, ushtarakësh, teknikësh degësh të ndryshme e prej së tjerësh. Një pasurim më i tejmë e shumë më i madh se më parë u arrit ndërkaq në ditët tona, kur pas çlirimit të vendit mori përmasa të reja industria, arsimi, dija, ekonomia, bujqësia, teknika e të tjera degë të veprimtarisë njerëzore. Për të rrokur me një vështrim këtë rrugë zhvillimi në rrjedhë të disa brezave, mjafton të krahasojmë Fjalorin e gjuhës shqipe të vitit 1954 me atë të Hahnit që është i vitit 1854, ose dhe me atë të Kristoforidhit të vitit 1904. Aty shihet përparimi që është arritur në pasuri të fjalorit jo vetëm në një shekull, po edhe brenda një gjysmëshekulli.
Një gjuhë e përbashkët, përtej caqeve shtetërore, mbetet shprehja e një njësie nacionale dhe e një shkalle të caktuar të kulturës së bashkësisë që e flet. Përpjestimi aty është i karakterit të drejtë, në mënyrë që sa më e fortë të jetë ajo njësi, sa më e ngritur ajo shkallë kulture, aq më e formuar paraqitet gjuha e përbashkët, si në të folur dhe sidomos në shkrim. Një gjuhë e tillë qëndron kështu përmbi dialektet, është një madhësi mbidialektore, në një farë vështrimi emëruesi i përbashkët dhe sinteza e tyre. Ajo paraqet një realitet dhe njëkohësisht rezultatin e një farë abstrakcioni, të formuar gjatë kohës, në mënyrë që nuk përputhet krejt me një dialekt territorial të caktuar, as edhe me dialektin që përbën bazën e saj. Sikundër u tha edhe më lart, gjuha e përbashkët e shkrimit edhe lë jashtë ndonjë element të këtij dialekti, edhe përvetëson me kohë elemente të dialekteve të tjera. Në këtë mënyrë kjo gjuhë bëhet një njësi brenda ndryshimeve. Duke qenë ajo edhe treguesi i shkallës së kulturës të një populli, një popull i kulturuar ndër të tjera dallohet edhe për një gjuhë shkrimi të formuar e të njësishme.
Në dallim nga gjuha e folur e nga dialektet e saj, e cila si më e lirë, më shpejt kalon nëpër ndryshime në kohë, gjuha e shkrimit, si shprehje e një kulture që është, i mbahet një tradite. Ajo ka përgjithësisht një karakter konservativ, me të cilin ushtron bile një ndikim përmbi gjuhën e folur duke ngadalësuar ritmin e ndryshimeve që kjo pëson. Ky karakter i saj përcaktohet nga disa rregulla, të cilat në tërësinë e tyre përbëjnë drejtshkrimin e një gjuhe. Ato janë më të ngulëta se rregullat nëpër të cilat përshkohet gjuha e folur dhe bëhen gjithmonë e më të ngulëta, më të qëndrueshme, sa më shumë të marrë formë gjuha e shkrimit dhe e literaturës. Sa më fort kjo t’i afrohet njësimit, aq më shpejt zhduken në atë mes dhe përjashtimet nga rregullat, format dyjare të fjalëve e të trajtave gramatikore. Rregullat drejtshkrimore rrjedhin nga një realitet, e ky është shkalla e zhvillimit që ka arritur gjuha si tërësi në një cak kohe të caktuar. Drejtshkrimi duhet t’i përgjigjet këtij realiteti.
E shikuar nga këto pikëpamje parimore, forma e shkruar e shqipes, si ajo e përdorimit të përditshëm, si ajo e nivelit letrar, që prej kohësh kur dëshmohet së pari me shkrim, paraqitet me një vijë zhvillimi, e cila karakterizohet nga një aksiomatikë e caktuar.
Aksioma e parë është që kjo formë gjuhësore gjatë përdorimit të saj është thjeshtuar gjithmonë e më shumë në trajtat e sistemit fonetik e gramatikor dhe është pasuruar në visar të fjalëve. Ky proces vazhdon dhe sot e kësaj dite, duke shkuar gjuha më një anë drejt thjeshtimit, më anë tjetër drejt pasurimit.
Aksioma e dytë është konvergjenca. Rregullat e drejtshkrimit ndaj tërësisë së këtij janë të krahasueshme me gurët e veçantë me të cilët ngrihet një ndërtesë; dhe si këta gurë, edhe ato rregulla kanë vendin edhe peshën e vet si elemente përbërëse të një tërësie. Po peshë kryesore në këtë mes ka tërësia. Nuk është pa rëndësi që një fjalë e caktuar e shqipes të shkruhet me një ë të pathekse më pak ose më shumë, me një r të fortë ose të thjeshtë, me l palatale apo velare, me sh a me ç në pozicion nistor, dhe për këto çështje e të tjera si këto po diskutohet që t’u japim rrugë përbrenda mundësive të sotme. Po qenësore, esenciale në këtë mes, në dallim nga periodat e mëparme të historisë së shkrimit të shqipes, është që vija e zhvillimit gjuhësor shkon drejt konvergjencës. Dhe ajo shkon në thelb vetvetiu, në pajtim me ligjet e brendshme të gjuhës. Ky proces nuk mund të çmohet kurrë mjaft në rëndësinë e tij. Ai ka për të vepruar më tej edhe në të ardhmen.
Aksioma e tretë përmban njëkohësisht edhe një rregull. Gjuha e shkrimit ka dalë në analizë të fundit prej gjuhës së gjallë të popullit që e flet. Në pajtim me këtë, edhe rregullat që përcaktojnë përdorimin e saj duhet të dalin nga të dhënat e këtij realiteti gjuhësor. Gjuha popullore përbën rrënjën që ushqen në mënyrë të pareshtur gjuhën e shkrimit. Kur kjo largohet nga ligjërimi popullor, largohet njëkohësisht dhe nga masat popullore, dhe rrezikon të bëhet një gjuhë letre, një gjuhë artificiale. Në qoftë se gjuha e shkrimit mbyllet në vetvete dhe largimi i saj nga të folët popullor theksohet edhe më tepër, me kohë paraqitet mundësia e një diglosie, një dygjuhësie, gjë që ka ndodhur në disa gjuhë të botës, edhe të Europës. Për disa arsye sociolinguistike, të cilat nuk është vendi të shtjellohen këtu, edhe kalimi nga dialektet teritoriale në gjuhën e shkrimit duhet të jetë i ngadalshëm e i harmonishëm. Gjuha e shkrimit nuk duhet të jetë dialektofobe. Mbetet një fakt në atë mes që ligjërimi popullor me gjithë shtresat e ndryshme që e përbëjnë, me karakterin e tij të natyrshëm e të thjeshtë, është i caktuar të jetë një gurrë e gjallë ku përtërihet vazhdimisht dhe gjuha e literaturës.
Duke hyrë në disa pika të veçanta, në lidhje me vijat parimore që u ravizuan më sipër, do të thuhet se janë arritur rezultate të mira, disa pika të qëndrueshme, në shkrim të shqipes në drejtim të thjeshtimit e të konvergjencës. Një nga parimet që kanë rezultuar të jenë të drejta në këtë fushë është marrja parasysh e kriterit të shtrirjes teritoriale të dukurive në caktim të normave drejtshkrimore. Konkretisht, kur një formë e caktuar përdoret në mbarë trevën e njërit nga dialektet kryesore dhe pjesërisht edhe në tjetrin, ajo me të drejtë ngrihet në normë të shkrimit. Në bazë të këtij kriteri përdoret vend edhe zemër, jo vënd edhe zëmër. Për të njëjtën arsye të konvergjencës ka zënë vend edhe shkrimi i bashkëtingëlloreve fundore të zëshme si të tilla, me gjithë shqiptimin e pazëshëm të tyre në një pjesë të mirë të dialekteve jugore, shkrim që pajton dhe me ruajtjen e strukturës morfologjike të fjalëve përkatëse, në rasa si shtogu, i madhi, mblodha. Për të njëjtin kriter është arritur, ndër të tjera, përdorimi i j‑së në vend të nazalit palatal nj në fund (e në trup) fjale te foljet, tipi punoj, punoja, dhe po për këtë arsye janë gjithë mundësitë që ky përdorim të shtrihet edhe në sistemin nominal, tipi ullinj, të mëdhenj, forma që s’janë të huaja as për ligjërimet jugore. Parimi i thjeshtimit drejtshkrimor është zbatuar në dobi sidomos në përdorim të ë-së së pathekse, një nga pikat, sikundër dihet, kryesore të drejtshkrimit të shqipes. Duke i dalë përpara prirjes së dukshme të gjuhës për një thjeshtim më të madh në punë të shkrimit të këtij vokali në të ardhmen, mund të shkohet më tej në këtë drejtim, duke shkruar ndër të tjera amtar, pishtar, arsim, kshill, pjestar, pjestim, përmendsh, trekëndsh, trajta fjalësh që gjinden pjesërisht që në traditën e vjetër të shkrimit (si kshill), e pjesërisht në mbarë truallin e sotëm të gjuhës. Aty duhet të hyjnë dhe shumëset dit dhe net. Shkrimi i tyre me një ë fundore, në kundërshtim me mbarë përdorimin gojor dhe me mbarë traditën letrare, nuk përligjet shkencërisht me trajtat e shquara, ditët, netët, sa kohë që ka edhe rasa të përkundërta, si lot përkundrejt lotët, të zot përkundrejt të zotët, njëzet përkundrejt të njëzetët. Edhe te lidhoret e tipit të dalësh, të marrësh do parë mirë gjer ku kriteri i përpjestimit të përhapjes teritoriale lejon këto shkrime me ë të rrokjes fundore. Nga ky kriter, dhe nga parimi i konvergjencës e përgjithësisht nga arsyeja e shëndoshë, duhej të udhëhiqej drejtshkrimi dhe në shkrim të formave Mitkoja, Pirroja, apo Mitkua, Pirrua. Format e llojit të parë imponohen aq më shumë, kur të mendohet se ku do të çonin trajtat e shquara të fjalëve dhe emrave si kakao, foto, Romeo, radio, studio, trio, Klio, sikur të zbatoheshin mënyrat krahinore me ua për mbarë fushën gjuhësore të shqipes. Nuk do të rimerren këtu grupet zanore ie, ye dhe grupet bashkëtingëllore mb, nd, ngj, që u zunë ngoje më lart, ku norma drejtshkrimore është arritur prej kohësh. As variantet tashmë margjinale të tipit motrë, veglë, dorzë, ku në shkrim janë arritur gjithashtu format e përbashkëta që dihen. Vetëm do të preket, si një rasë tipike e konvergjencës, depërtimi i sufiksit të agjentit ‑ues (dërgues, mësues, sulmues) në gjuhën e përbashkët të shkrimit, i cili po fiton edhe mbi variantin popullor përgjegjës ‑uas të Jugut (liruas, përçuas, përgjuas, shpëtuas) edhe mbi ‑onjës, që në ligjërimet veriake paraqitet si ‑ojs, ‑ojse, në fjalë si diftojs, mësojs, fërkojse. Depërtimi ndërdialektor vërehet në fjalëformim edhe në të tjera formante. Hyjnë aty sufikset ‑ueshëm e ‑yeshëm, në rasa si i besueshëm, i gëzueshëm, i rrëmbyeshëm. Pastaj sufiksi ‑meni i Shqipërisë së mesme, në fjalë popullore si pameni “pamje, panoramë”, i cili me funkcionin më fort të mundësisë, me trajtën e tij të kryehershme dhe me trajtën përgjegjëse të ndërtuar ‑mëri, u bë produktiv në gjuhë, në rasa si gatishmëri, ngjashmëri. Përtej caqeve të formës, edhe në fushën kuptimore të fjalëve ka shpërngulje drejt konvergjencës, me integrim të domethënieve dialektore në domethënie më të përgjithshme, më përfshirëse, si për shembëll te çoj, sot kryesisht “shpie, përcjell, dërgoj, nis; ngrë, zgjoj nga gjumi; kaloj kohën, shkoj jetën”.
Një kapitull me rëndësi përbën dukuria e univerbimit (njëfjalëzimit), dhe lidhur me të çështja e shkrimit të fjalëve bashkë ose ndaras. Në vjetët e fundit vihet re një prirje për të shkruar si një fjalë të vetme lokucione ndajfoljore e lidhëzore si megjithatë, megjithëse, kurse shkruhet dy fjalë sinonimi i kësaj edhe pse, dhe rekomandohet – a me të drejtë? – një shkrim tri fjalësh për mes për mes etj. Historia e shqipes tregon me të vërtetë prirjen – të shpeshtë në gjuhët më të ndryshme – për të shkrirë në një fjalë sidomos elementet leksikore me një vëllim përgjithësisht të pakët e me pavarësi relative, si pjesëzat a lidhëzat as (bashkë me kompozitet e saj si askurrë, askush, aspak), dot, ndiç, ndonëse, nëse, etj., të cilat për një pjesë të mirë janë formuar nga një fjali a një pjesë fjalie përbrenda sandhit, ngërthimit të fjalisë. Kështu sot shkruhen prej kohësh një fjalë ndër të tjera gjithkush, gjithqish, mbasandej, njëmbëdhjetë, dyqind, pesëdhjetë, ndërkaq, mbassi, vetëvetëhe, të cilat tek autorët e vjetër paraqiten të shkruara me pjesët veç e veç. Tendenca e univerbimit dhe me të e formimit të kompoziteve vihet re dhe në fjalët e reja, si te vajguri nga vaj-guri, në fushën dialektore për shembëll te vetjotja e Siqelisë, në Shqipëri vetja jote. Në lidhje me shkrimin e fjalëve bashkë apo ndaras shtrohet një çështje teorike e karakterit parimor. A janë, dhe a ndihen, megjithatë, megjithëse e të tjera si këto një fjalë e vetme, apo një lidhje fjalësh? Për të sqaruar këtë çështje, po marrim kombinimin e shqipes me mend me kuptim mbiemëror, në shprehje si burrë me mend, e cila i përgjigjet kryekrejet greq. së re me gnosi e me frónisin dhe rum. cuminte, që kanë të njëjtin kuptim. Ndërsa këto lidhje në greqishten e re shkruhen dy fjalë të ndara, ashtu si shkruhet me mend në gjuhën shqipe, rum. cuminte shkruhet sot një fjalë. Kjo tregon se në atë gjuhë cuminte ndihet si një fjalë e vetme, në shqipen e në greqishten si një lidhje dy fjalësh. Nuk bashkohem me gjykimin e E. Coseriut, i cili në kundërshtim me Kr. Sandfeldin mendon se në formim të rum. cuminte, si një mbiemër i mirëfilltë përkundrejt formave të greqishtes, paska shërbyer si gjedhe, si model, greq. e vjetër echephron “i mençëm, i arsyeshëm”. Në pajtim me dijetarin danez mendoj se kemi të bëjmë me një shprehje ballkanike të zakonshme, me kombinimin e parafjalës me + emër në vend të një mbiemri. Shkrimi i shqipes me mend e i rum. cuminte është në fund të fundit një çështje ortografike, e cila lidhet ndërkaq me një konceptim të ndryshëm të fjalës në këto dy gjuhë, më saktë në vetëdijen gjuhësore të bartësve të tyre. Për të dhënë një tjetër shembëll nga kjo kategori e fjalëformimit, mund të përmendet që lidhje të tilla si po ai, po ashtu, jepen në shkrim si dy fjalë të veçanta. Shtrohet pyetja nëse kemi të bëjmë aty me një lidhje dy fjalësh, apo përkundrazi me një fjalë të vetme ku po ka një kuptim të vetin, të ndryshëm nga vlerat semantike që ka kjo pjesëz në të tjera sfera të leksikut të gjuhës. Në zgjidhjen e çështjes së shkrimit të fjalëve bashkë ose ndaras mund të ndihmojnë dhe rezultatet e fonetikës eksperimentale. Aty nga mungesa ose prania ose nga përmasat e pauzave që realizohen në shqiptim të këtyre madhësive shumëngjyrëshe, mund të shihet gjer diku a kemi të bëjmë me një leksemë të mirëfilltë apo me dy a më shumë fjalë a fjalëza të bashkuara në një lidhje leksikore.
Pa dashur të preket parimi që të shkohet brenda mundësive sa më shumë drejt trajtave të vetme, unike të fjalëve, drejt mënjanimit sa më të madh të dubletave në shkrim, mendojmë megjithatë që drejtshkrimi nuk duhet të bëhet tepër i ngrirë, nuk duhet të çojë në ekstrem këtë parim. Kështu mbetet e drejtë rregulla e përdorimit të kallzores së shquar të re, analogjike, te mashkullorët që mbarojnë me zanore të theksuar, tipi kaun, dheun; pa u cënuar kjo rregull ndërkaq, kuptohet vetiut që në disa shprehje të ngulëta të gjuhës popullore, si në fjala mori dhenë, trajta rasore e vjetra do të ruhet, dhe kjo jo vetëm në ligjërimin e folur. Më pak kategorik duhej të dëftohej drejtshkrimi edhe në kufizimin e madh të përdorimit të apostrofit. Disa të dhëna si matanë, mbanë, mënjanë, njady, nesër tregojnë qartë sa shpesh elidohet ë-ja e pathekse në ngërthim të fjalisë, në sandhi, gjë që çon në përftim kompozitash si këto që sapo u përmendën. Për hir të ritmit të fjalisë, me qëllim që të ruhet më i zhdërvjelltë, më i lëvizshëm, më pak monoton ky ritëm, nuk kuptohet pse të mos zbatohet nganjëherë edhe në shkrim eliminimi i ë-së së pathekse fundore, i cili shpeshherë është i plotë në shkrim, e të shënohet ky eliminim me anë të një apostrofi. Me këtë rrugë thyhet monotonia aty ku kujtohet të ruhet një rregullsi që në thelb është tepër formale e skematike. Edhe në gjuhë të tjera përdoret apostrofi për hir të variacionit ritmik, për një efekt më drastik të shprehjes, si për shembëll në italishten che cos’è, vent’anni, s’agita etj. Lidhur me theksin, edhe aty përjashtimi total nga përdorimi nuk duket të jetë i arsyetuar sa duhet. Pranë rregullave ka edhe përjashtime aty ku e lyp nevoja, edhe këto duhej të gjenin shprehjen e tyre në shkrim. Pikësëpari shtrohet çështja e riprodhimit besnik të një teksti që përmban theksa të ndryshëm, si për shembull e ndonjë poezie të Mjedës. Ka pastaj rasa ku paraqitet nevoja e një theksi për të dalluar leksema të ndryshme, të cilat mund të ngatërroheshin midis tyre, si acari : acarí, drejtori : drejtorí, format : formát, vëllazërish : vëllazërísh, mulla: mullá. Me këtë nuk është e thënë që në të tilla forma fjalësh theksi të jetë përherë i detyrueshëm, shumë herë konteksti tregon qartë se me cilën nga këto kemi të bëjmë. Po në rasat ku mund të lindë një dykuptimsi, një ambiguitet, aty paraqitet nganjëherë nevoja e theksimit.
Tepër e ngurtë, rigide, e shtrëngueshme paraqitet edhe rregulla që emrat vetiake të burimit të huaj të shkruhen sipas shqiptimit në gjuhët përkatëse dhe në përshtatje me traditën e krijuar në gjuhën shqipe. Të paktën në shkrimet e karakterit shkencor mund të zbatohet shkrimi sipas formës origjinale të këtyre emrave në ato gjuhë, kjo aq më fort kur riprodhimi i tyre me mjetet e alfabetit të shqipes shpeshherë mbetet i pasaktë e i përafërishëm.
Këto do të ishin disa nga pikat që kanë lidhje me anën formale-fonetike e thjesht gramatikore të drejtshkrimit. Edhe kur të kenë gjetur zgjidhje shumica e çështjeve të kësaj fushe, puna e drejtshkrimit ndërkaq nuk ka mbaruar. Nuk jemi në mbarim, po jemi ende në mes të rrugës, po ta vështrojmë drejtshkrimin me një pamje më të hapët, më tërësore; po ta zgjerojmë tematikën e tij, duke përfshirë në lëmin e vështrimit, sikundër duhet, edhe disa probleme të sintaksës, të frazeologjisë e të leksikut.
Shkrimi i shqipes moderne, në krahasim me atë të periodave të mëparme të saj, karakterizohet për dy tipare kryesore: më një anë për një normim përherë e më të madh të trajtave fonetike e gramatikore të fjalëve dhe për një pasurim progresiv të leksikut me elemente pozitive të vendit; më anë tjetër për depërtimin e ngulitjen e disa ndërtimeve të huaja dhe të një shumice, sa vete më të madh, fjalësh të importuara së jashtmi.
Në lidhje me këtë, në drejtshkrimin të themi sintaktik, në vend të parë duhet synuar në një ndërtim fjalish sipas frymës së shqipes, në harmoni me parimet që zotërojnë në sintaksën e kësaj gjuhe, e jo në imitim të ndërtimit sintaktik të gjuhëve të tjera. Duhet nisur së brendshmi, e jo së jashtmi. Me rëndësi është çështja nëse një fjalë do të shkruhet me e apo me ë, me i apo me j, me j apo nj fundore, po ka rëndësi që fjalia të jetë e ndërtuar pas ndërtimit vetiak të shqipes, jo të njërës a tjetrës gjuhë të huaj. Ndërtime të tilla si rregullat fonetike dhe ato morfologjike, letërsia artistike dhe ajo popullore, e të tjera si këto, janë të huaja për gjuhën shqipe. Në përdorim të një shtrese të caktuar intelektualësh, po jo në ligjërimin popullor, ato janë italianizma sintaktike, përkthime të ndërtimit sintaktik të italishtes. Të tilla ndërtime ndeshen edhe në rumanishten moderne të shkrimit, edhe aty pas gjedhesh (modelesh) të gjuhëve romane perëndimore, veçse atje janë më të kuptueshme, ngaqë hyjnë në sistemin e një gjuhe gjithashtu romane. Imitim është ndër të tjera edhe përdorimi i lidhëzës pse në fjali shkakore (më fort pas it. perchè), aty ku në shqipen e mirëfilltë përdoret se ose sepse. Në punë të drejtshkrimit nuk janë pa rëndësi dhe shenjat e pikësimit, të cilat peshojnë edhe në përcaktimin e drejtë të kuptimit të fjalëve e të lidhjeve të tyre. Edhe aty gjuha shqipe ka rregullat e veta, të cilat nuk duan lënë mënjanë. Vendosja e një prese para lidhëzës në fjali të tipit mendoj, se; është e qartë, që; ka depërtuar në këto vjetët e fundit nga rusishtja, e cila nga ana e saj e ka marrë këtë përdorim prej gjermanishtes.
Edhe frazeologjia në drejtshkrim nuk duhej lënë pas dore. Kështu, për të dhënë një shembull, shprehjes (i hedh) pluhur syve, e cila nuk është veçse shqipërim i një shprehjeje të gjuhëve të huaja, nga frazeologjia shqiptare i përgjigjet mirëfilli hi syve. Si kjo ka plot shprehje frazeologjike e të thëna popullore, të cilat duhej të shtriheshin në përdorim nga ata që shkruajnë.
Me rëndësi të dorës së parë është më në fund puna e përdorimit të visarit të fjalëve. Aty shtrohet detyra dyfishe e pasurimit dhe e pastrimit. Pasurim me leksema të gjuhës popullore ose gjithsesi të farkuara prej brumit të saj. Pastrim nga elementet e huaja që po vërshojnë në gjuhë prej të gjitha anëve. Neologjizmat që janë formuar gjatë historisë së gjuhës me anë përkthimi prej gjuhëve të tjera, si populloret e diel, e hënë, peshkaqen, mollatartë, vajgur-i, ose përndjek “persekutoj” te Pjetër Budi, hapësirë, vetëdije, ndërgjegje e të tjera në shekullin e kaluar, botoj e shkrimtar pak më vonë, botëkuptim, hekurudhë, largpamës, mbinjerëzor, ndërlidhje, pararojë, përballoj, përvetësoj, i pranishëm, prapavijë, rilindje e të tjera në ditët tona, përbëjnë një pasurim pozitiv të gjuhës; aty gjedhja e formimit është e huaj, lënda është e vendit. Në këtë radhë mund të vazhdohet e të shkohet përpara, duke pastruar e duke pasuruar; duke zëvendësuar ndër të tjera fenomen me dukuri, efekt me duk, përsekutim me përndjekje, krijoj me lentoj, tekstile me veglore, fjalë shumica të gjalla edhe sot nëpër dialekte. Gjuhëtarëve u bie barra, e gjatë dhe jo e lehtë, që me një punë shumëvjetshe e të vijueshme të mbledhim visarin leksikor të gjuhës popullore. Të tjerëve, në radhë të parë shkrimtarëve, përkthyesve, arsimtarëve e teknikëve të ndryshëm, u bie ta shtien në qarkullim në botimet e tyre. Mbledhja e këtij materiali është një punë që s’pret, që nuk duron afate. Me industrializimin e vendit, gjuha, duke u modernizuar, bjerr në mënyrë të pazëvendësueshme vazhdimisht një pjesë të elementeve të leksikut të saj. Kjo detyrë duhet të ndërmerret me një plan pune të caktuar mirë edhe të kryhet në mënyrë sistematike.
Duke rrokur me një vështrim përmbledhës detyrat që duhet të përballojë në të ardhmen drejtshkrimi i shqipes i shikuar në aspektet e tij të shumëllojshme, do të përfundohet me këtë, që hartuesit e tij do të udhëhiqen nga një ndjenjë e lartë përgjegjësie. Në formulim të çdo rregulle do të jetë e pranishme vetëdija që është puna për një drejtshkrim të caktuar jo për disa mijë veta, po për katër milion njerëz që e kanë shqipen gjuhë amtare.
Tiranë, 1972

Share.