Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar ndërmjetësit evropian të dialogut, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak për njëanshmëri dhe deformim të procesit të dialogut me Serbinë.

Ai tha se në takimin e fundit në Bruksel u ekspozua përballë një skenari që Borell dhe Lajçak e kishin dizajnuar më herët për ta vënë në qendër të marrëveshjes bazë, themelimin e Asociacionit dhe jo zbatimin e sekuencuar të ujdisë mbi parimin gjithëpërfshirës.

Megjithatë, shefi i ekzekutivit nuk tregoi nëse do të vazhdojë dialogun e Brukselit, por tha se ka dërguar letra sqaruese kryeqendrave evropiane dhe Uashingtonit, për takimin e 14 shtatorit, teksa nënvizoi se do të konsultohet me Brukselin zyrtar për kthimin e dialogun në binarë dhe zbatimin në tërësi të marrëveshjes bazë Kosovë-Serbi.

Kurti në konferencë për media, të hënën, kërkoi edhe largimin e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, pasi sipas tij, shtensionimi i situatës ka ndodhur në masë të konsiderueshme.

Ai tregoi në detaje edhe sekuenca të takimit me presidentin Vuçiq dhe ndërmjetësuesve në Bruksel, ku sipas tij, dëshmohet edhe sinkronizimi mes Lajçak dhe Vuçiq.

Kurti e quajti të pavërtetë edhe dokumentin që Bashkimi Evropian tha se Vuçiq e pranoi si zgjidhje kompromisi, ndërsa ai e refuzoi. Sipas kreut qeveritar, ai dokument nuk është propozuar në takimin trelateral, pasi i njëjti është refuzuar në takimin e kryenegociatorëve, më 19 korrik.

“U ekspozova përballë një skenari të cilin zotëri Lajçak dukej se e kishte dizajnuar kohë më parë. Pasi i propozova presidentit të Serbisë dhe dy përfaqësuesve evropian një plan të sekuencimit të punuar nga Republika e Kosovës, i cili është dokumenti i parë që e propozoj në një takim të nivelit të lartë edhe pse kryenegociatori, Besnik Bislimi i ka propozuar në katër muajt e kaluar edhe dy plane të tjera të sekuencimit e të cilat janë refuzuar nga zotëri Lajcak. Presidenti i Serbisë dhe Miroslav Lajçak reaguan me të njëjtin mendim dhe të njëjtën shpërfillje të koordinuar. Të dy thanë se ky plan është shumë jorealist dhe rrjedhimisht e vetmja rrugë përpara është zbatimi i pa sekuencuar të pikës së negocimit të një statuti të Asociacionit të komunave…Lajcaku dhe Vuçiqi duket sikur të kenë qenë të koordinuar me një qëllim të vetëm që të bëjnë të pamundur një skenar në të cilin marrëveshja zbatohen në tërësi dhe t’i japin jetë një skenari alternativ ku vetëm gjysma e marrëveshjes zbatohet, ndërsa gjysma tjetër që përbënë pjesën më civilizuese të marrëdhënieve të mira fqinjësore, të mos zbatohet asnjëherë”, theksoi Kurti.

Sipas tij, më 14 shtator në Bruksel pati një pozicionim të qartë të ndërmjetësve të dialogut kundër Kosovës dhe marrëveshjes bazike.

Përkitazi me këtë, Kurti nënvizoi se marrëveshja e Brukselit dhe Ohrit ose do të zbatohet në tërësi ose nuk mund të zbatohen vetëm ato çka dëshiron Serbia.

“Më 14 shtator pati një pozicionim të qartë të ndërmjetësve kundër Kosovës në përgjithësi dhe kundër marrëveshjes bazike në veçanti. Kështu ata kanë shkuar shumë larg me goditjen e të ardhmes së Kosovës. Në situatën në të cilin jemi, vlerësoj se nuk mund të shtrembërohen me gjykimin tim me asnjë hedhje hirit syve. Ose do të zbatojmë marrëveshjen bazike në tërësi ose nuk mund të zbatojmë vetëm ato që i dëshiron Serbia. Kjo logjikë ka vdekur dhe një Republikë e pavarur e Kosovës nuk mund dhe nuk duhet dhe nuk do të ecë në një shteg të tillë”, shtoi ai.

Kurti bëri të ditur se menjëherë pas takimit të Brukselit, të nesërmen më 15 shtator, iu ka dërguar letra sqaruese aleatëve kryesor të Kosovës.

“Të nesërmen, më datën 15 shtator të takimit të fundit të nivelit të lartë në Bruksel, i kam dërguar letër sqaruese Parisit, Berlinit, Romës dhe Uashingtonit. Nga Parisi dhe Berlini kam konfirmimin se janë pranuar letrat. Pra i kam dërguar letër kancelarit Scholz, presidentit Macron, kryeministres Meloni dhe sekretarit Blinken. Por edhe një herë nuk është çështja këtu BE-ShBA, por këtu kemi të bëjmë me një emisar evropian, i cili e ka deformuar procesin duke mos u përqendruar në zbatimin e plotë të marrëveshjes bazike por duke lejuar që qerrja të vihet para kuajve, Asociacioni njëherë pastaj shohim. Ky deformim i procesit të zbatimit është i shoqëruar edhe me një padrejtësi që për bindjen time është e rëndësishme. Sa herë që ka shkelje të marrëveshjes bazike do të duhej që arbitri t’i bie filikaqës, e cila nuk ka ndodhur. Ka pas deklarata të ndryshme nga Beogradi kundër marrëveshjes, por referi nuk ka thënë se kjo është shkelje”, deklaroi Kurti.

Sipas tij, tani duhet konsulta me vendet anëtarë të BE-së, po ashtu edhe me ShBA-në për të kthyer në binarë procesin e dialogut dhe zbatimin në tërësi të marrëveshjes bazë.

Ai tha se do të diskutojnë me BE-në për qasjen aspak neutrale të ndërmjetësit të dialogut, Miroslav Lajçak.

“ShBA-ja dhe BE-ja janë bashkë në këtë proces, ata e kanë lidhjen e fuqishme trans-atlantike në këtë proces. Nuk është synimi jonë të zëvendësojmë një superfuqi me tjetrën. Neve na duhen të dyja, por neve nuk na duhet një ndërmjetësim i njëanshëm dhe aspekt korrekt… 55:26 Tash është koha kur kemi nevojë për konsultime me Brukselin së pari dhe gjithashtu edhe Uashingtonit, Berlinit, Parisin, e kështu me radhë dhe këtë po e bëjmë. Duhet t’i rikthehemi marrëveshjes bazike dhe tekstit të dakorudar në Bruksel dhe në Ohër që duhet të shndërrohet në zbatim real në teren. Insistimi jonë do të jetë në këtë pikë dhe unë besoj se do të kemi diskutime përmbajtjesore edhe vend brenda BE-së që procesin të kthejmë në binarë, nga është nxjerrë me njëanshmërinë e ndërmjetësit”, theksoi Kurti.

Ai foli edhe për shtensionimin e situatës në veri dhe nevojën për largim të masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës.

Por nuk u përgjigj nëse ato mund të ashpërsohen nga BE-ja, pas dështimit të arritjes së marrëveshjes me 14 shtator.

“Ata që thonë se mund të ketë tensione dhe destabilizim në veri është mirë që këtë t’ia tregojnë Policisë së Kosovës se kush po dëshiron me shkaktu dhunë. Unë i lus të gjitha ata që paralajmërojnë dhunë në veri ta lajmërojnë policinë në mënyrë që të parandalojmë. Dhuna nuk është fatkeqësi ose dukuri natyrore si tërmeti ose zjarret e egra apo stuhi e vërshimit ose vullkani. Kam dëgjuar zyrtarë të ndryshëm që flasin për erupsionit e dhunës. Unë nuk e di që në veri të Kosovës ka vullkan, po të kishim do të themi erupsioni i mundshëm i vullkanit në veri të Kosovës. Por është dhunë dhe ka subjekte prapa që e bëjnë dhunën, ka emra dhe mbiemra…Ne jemi që të hiqen masat ndaj neve sa më parë. Krejt çka është kërkuar e kemi bërë”, shtoi Kurti.

Në lidhje me masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës foli edhe zëvendëskryeministri, njëherësh kryenegociator për dialogun, Besnik Bislimi.

Ai tha se Lajçak i ka premtuar për largim të masave pas takimit të Brukselit, mirëpo tani ka raportuar para vendeve anëtare duke kërkuar që masat të mbesin në fuqi.

“Masat ndaj Kosovës janë vendosur me një letër që Komisioni Evropian ka dërguar në adresën time ku thuhet se ndaj Kosovës vendosen masa të përkohshme, të kthyeshme dhe të bazuar në një proces kredibil të deeskalimit. Pas vendosjes së këtyre masave unë jam ftuar nga Lajcak për të diskutuar në Vjenë ose Bratisllavë për një dakordim që do të qonte në heqjen e masave. Rezultat i këtyre bisedimeve është marrëveshja e Bratisllavës që ka pas me veti edhe premtimin që masat do të hiqen para takimit të 19 korrikut. Pasi ky ka qenë procesi kredibil që qon në deeskalim, por kjo nuk ka ndodhur. Po ashtu ka pas premtim nga Lajçak që masat do të hiqen menjëherë pas 14 shtatorit me një letër që do të dërgoj zotëri Borell te komisioni evropian. Në vend të kësaj zotëri Lajçak ka raportuar tek vendet anëtare që masat ndaj Kosovës po kanë efekt dhe rrjedhimisht do të mbetet në fuqi”, tha Bislimi.

Në anën tjetër, pasi u pyet nga gazetarët, Kurti foli edhe për kërkesat e opozitës për zgjedhje të reja Kosovë.

“Kam dëgjuar që opozita herë kërkon dorëheqjen time herë shkarkimin tim dhe herë kërkon zgjedhjet e parakohshme. Më lejoni t’iu them se zgjedhjet e parakohshme në Kosovë nuk i konvenojnë as qeverisë dhe as opozitës. Opozitës nuk i konvenojnë zgjedhjet se i humb, ndërsa qeverisë nuk i konvenojnë zgjedhjet se zhduket opozita. Unë jam i interesuar që ta mundim në zgjedhje opozitën, por jo ta zhdukim”, tha ai.

Më 14 shtator në Bruksel është mbajtur takimi i radhës Kurti-Vuçiq, ku dështoi të arrihet marrëveshja për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit.

/TV Malisheva

Share.