Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar për medie pas Samitit të Procesit të Berlinit, që zhvilloi punimet sonte në Tiranë.

Kryeministri i vendit tha se Kosova ka nevojë për siguri dhe aty e ka dënuar sulmin terrorist që ndodhi në Banjskë të Zveçanit.

“Në të njëjtën kohë kam dënuar edhe njëherë sulmin terrorist, aktin e agresionit të Serbisë në Kosovë. Kemi nevojë për siguri për Kosovën, më shumë siguri”, tha ai.

Ai përmendi sulmet në Veri, duke u shprehur se duhet të ketë sanksione ndaj Serbisë në mënyrë që këto episoda të mos përsëriten më.

“Ju e mbani mend që më 29 maj sulmuan KFOR-in dhjetëra ushtarë të lënduar, me 14 qershor i rrëmbyen 3 policë tanë dhe tash e vranë një polic, andaj është e rëndësishmë që të mos ketë episod të katërt, të këtyre mësymjeve kriminale të Serbisë të sponsorizuara nga jashtë dhe duhet të ketë sanksione për Serbinë e siguri për Kosovën. Pra është ditë e mirë për shkak se Procesi i Berlinin e bën Ballkanin Europian….Nuk ka dilema Kosova sa i përket orientimit Europian”.

Kryeministri Kurti deklaroi se i ka kërkuar sot kryeministres serbe Bërnabiq nënshkrimin për aneksin e zbatimit të marrëveshjes së Ohrit, por tha se e njëjta ka refuzuar.

Këtë ai tha se ka bërë për shkak se Vuçiq është i zënë me vizitën në Kinë.

“Ne kemi marrëveshje me Serbinë, është marrëveshja bazike e 27 shkurtit e cila e ka në qendër njohjen defakto reciproke, ajo duhet të zbatohet dhe në anën tjetër e kemi aneksin e zbatimit të 18 marsit, unë kam ofruar që të nënshkruhen ato është pala serbe ajo që ka refuzuar, edhe sot gjatë takimit të drekës unë kam kërkuar nga kryeministrja Bernabiq që ta nënshkruajë marrëveshjen bazike dhe aneksin e Ohrit, unë jam që të zbatohen ato, pikërisht tani që presidenti i Serbisë është i zënë në Kinë me vizitën atje. Unë kam thënë le ta nënshkruajmë bashkë me kryeministren e Serbisë, mirëpo ajo sërish nuk ishte e interesuar.”, tha ai.

/TV Malisheva

Share.