Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka takuar përfaqësuesin e Përhershëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), ambasadorin Michael Carpenter, me të cilin biseduan për vazhdimin e bashkëpunimit dhe bashkërendimit.

Në komunikatën për media bëhet e ditur se në takimin e përbashkët me zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, u diskutua edhe për zhvillimet politike në vend dhe situatën politike në rajon.

Duke folur për proceset dhe çështjet lidhur me dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, si dhe temat e tjera të ndërlidhura, kryeministri Kurti ritheksoi se si qeveri mbesin të angazhuar për dialog parimor, nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve.

Bëhet e ditur se kreu i ekzekutivit ka thënë po ashtu se propozimi evropian për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i pranueshëm si bazë e mirë për diskutime të mëtutjeshme dhe platformë solide për të ecur përpara.

/TV Malisheva

Share.