Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, më 3 korrik përmes një video-mesazhi në gjuhën serbe iu është drejtuar qytetarëve serbë të Kosovës lidhur me vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës që krijon mundësinë për regjistrimin e veturave me tabela të Republikës së Kosovës.
Por si u komentua ajo video e Kurtit në pjesën veriore të Republikës së Kosovës e cila është e banuar me serbë. Për këtë ka folur redaktorja e portalit “KoSSev”, Tatjana Lazareviq, në një intervistë për televizionin N1.
“Fakti që Albin Kurti drejtohet në serbisht, e që në mënyrë ironike komentohet si më i rrjedhshëm krahasuar me mungesën e edukimit të përfaqësuesit politik serbë, Kurti flet serbisht më mirë se gjysma e deputetëve serbë. Janë komentet tipike”, ka thënë Lazareviq kur është pyetur se si e kanë komentuar serbët në veri adresimin e kryeministrit të Kosovës në gjuhën serbe.
Qeveria e Kosovës më 29 qershor ka marrë vendim që do të mundësojë regjistrimin me tabela RKS të veturave që kanë tabelat ilegale “PR”, “KM”, “PZ” etj,
“Ndërkaq përmes një vendimi tjetër në mbledhjen e sotme mundësuam regjistrimin e automjeteve me targa RKS për të gjitha automjetet e pajisura me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” nga 10 qershori 1999 deri më datë 21 prill 2022. Regjistrimi do të fillojë më 1 gusht 2022 dhe do të zgjasë deri më 30 shtator 2022. Ky vendim ka karakter të papërsëritshëm pas përfundimit të periudhës së vlefshmërisë”, kishte shkruar kryeministri Kurti kur kishte njoftuar për vendimin.
/TV Malisheva