Kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq sot pritet të kenë takime ndaras me krerët evropianë në Bruksel.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropianë, Peter Stano një konferencë për media ka konfirmuar se Kurti dhe Vuçiq do të kenë një seri takimesh individuale me krerë evropianë, por nuk ka dhënë detaje tjera.
“Takimet do të jenë përforcim i asaj që është thënë gjatë vizitës së Miroslav Lajçak në Kosovë dhe Serbi gjatë fundjavës. Kurti dhe Vuçiq do të kenë një seri takimesh individuale me krerë evropianë, për çfarë nuk do të japim detaje tash”, ka thënë Stano.
Ai i ka cilësuar si “mbështetje” për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë takimet e së enjtes në margjinat e samitit të BE-së.
“Presim që të dyja palët që të kthehen dhe t’i përmbushin obligimet e tyre pa vonesa si dhe të angazhohen për shtensionim. Nuk do të ketë takime të nivelit të lartë të dialogut, por vetëm takime individuale me liderë evropianë”, është shprehur Stano.
Ndryshe, një ditë më parë Kurti i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së pesë emisarëve për një takim me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Presidentes së Komisionit Evropian, në margjina të samitit të Këshillit Evropian.
Kështu konfirmuan nga zyra e kryeministrit duke thënë po ashtu se “takimi do jetë në kuptim të diskutimeve të nisura me pesë emisarët gjatë vizitës së tyre në Prishtinë më datë 21 tetor, në të cilin ata propozuan një plan të ri që përfshinte një paketë më të plotë të zbatimit gjithëpërfshirës të Marrëveshjes Bazike bashkërisht me një draft të propozuar për zbatimin e nenit 7”.
Sipas tyre, Kurti ka shprehur dakordimin që ky plan i ri të jetë korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate, ShBA, Gjermani, Francë dhe Itali.
“Kurti ka shprehur dakordimin e tij që ky plan i ri të jetë korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate, ShBA, Gjermani, Francë dhe Itali, e cila do të duhej të siguronte një komponent të fuqishëm të sigurisë dhe gjithashtu të fuqizonte perspektivën e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare”, kanë thënë nga zyra e kryeministrit.
Po ashtu nga Qeveria thanë se agjenda dhe detajet e takimit në Bruksel nuk i janë bërë të ditura Kurtit.
“Megjithatë ai shprehet i gatshëm të përfshihet në diskutime përmbajtësore me kushtin që ato të jenë në linjë me parimin e gjithëpërfshirjes”, thanë nga zyra e kryeministrit.
Dy udhëheqësit pritet të takojnë veç e veç edhe presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, dhe shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.
/TV Malisheva