Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vazhduar të proklamojë në Facebook “të arriturat” në dy vjet e gjysmë qeverisje.
Sonte ai ka lavdëruar marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, që sipas tij janë thelluar gjatë qeverisjes së tij.
“Dy republika, një komb. Dy vjet e gjysmë, 58 marrëveshje bilaterale, me një qëllim: më shumë përfitime për qytetarët, më shumë për ekonominë” shkruan Kurti, në stilin e tij populist.
Një ditë më herët, ra në sy që Kurti dhe Rama përcollën ndeshjen e Kombëtares kuqezi në stadiumin “Air Albania”, por qëndruan më tribuna të ndara. Më herët, gjatë vizitës së fundit zyrtare të Ramës në Kosovë, Kurti nuk e kishte pritur fare në takim.
Në mesin e të arriturave, Kurti ka përmendur “kalimin e lirë e pa kontrolle të kufijve gjatë muajve të verës, fundjavave dhe ditëve të pushimeve zyrtare”, një praktikë e nisur para shumë vitesh.
Kurti po ashtu ka veçuar se sivjet, shkëmbimet tregtare Kosovë – Shqipëri janë më të lartat ndonjëherë. “Investimet e Shqipërisë në Kosovë gjithashtu janë më të lartat ndonjëherë. Në vitin 2019, ato ishin vetëm 15.2 milion euro, kurse në vitin 2022, u pesëfishuan duke arritur vlerë 79.7 milionë euro”.
“Kemi nënshkruar marrëveshjen për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë, që është ndër projektet më të mëdha e më të rëndësishme, si në aspektin ekonomik ashtu edhe kombëtar. Ajo do ta lidhë Kosovën me korridoret, që kalojnë pranë nesh, por nuk janë të lidhura me ne. Do t’i bashkojë edhe më fort ekonomitë tona dhe do të rrisë lëvizshmërinë dhe lidhshmërinë ndërmjet republikave tona”.
“Ndërkohë që krahas unifikimit të abetares për nxënësit e klasës së parë, njësuam edhe procedurat për aplikim dhe regjistrim të studentëve në universitete, si dhe nisëm punën madhore për Enciklopedinë Shqiptare. Shumë është bërë. Edhe më shumë duhet bërë”, shkroi Kurti.
Dy republika, një komb. Dy vjet e gjysmë, 58 marrëveshje bilaterale, me një qëllim: më shumë përfitime për qytetarët, më shumë për ekonominë.
Për mbi 200 mijë banorët e brezit tonë të përbashkët kufitar mundësuam lëvizje e lirë duke funksionalizuar 26 vendkalime të veçanta. Kurse për të gjithë, mundësuam kalimin e lirë e pa kontrolle të kufijve gjatë muajve të verës, fundjavave dhe ditëve të pushimeve zyrtare. Aktualisht jemi afër jetësimit të kalimit të lirë e pa kontrolle çdo ditë të vitit.
Krahas lëvizjes nga njëri shtet në tjetrin, lehtësuam edhe qëndrim te njëri dhe tjetri shtet, sepse thjeshtuam procedurat për pajisjen me leje qëndrimi, me afat 5 vjeçar. Hoqëm edhe detyrimin për apostilim të dokumenteve administrative.
Me dy zyra doganore të Republikës së Kosovës në Durrës dhe Porto Romano, fituam qasje në det. Aty bëhet zhdoganimi i të gjitha mallrave me destinacion Kosovën. Kjo u ka ndihmuar drejtpërdrejt bizneseve tona që tashmë kanë kursyer nëntë milionë euro, në të njëjtën kohë që edhe ekonomia e Shqipërisë ka përfituar nga rritje me 50% e dërgesave të Kosovës përmes Portit të Durrësit.
Sivjet shkëmbimet tona tregtare janë më të lartat ndonjëherë, teksa ka edhe tre muaj tjerë deri në përfundim të vitit financiar. Investimet e Shqipërisë në Kosovë gjithashtu janë më të lartat ndonjëherë. Në vitin 2019, ato ishin vetëm 15.2 milion euro, kurse në vitin 2022, u pesëfishuan duke arritur vlerë 79.7 milionë euro.
Kemi nënshkruar marrëveshjen për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë, që është ndër projektet më të mëdha e më të rëndësishme, si në aspektin ekonomik ashtu edhe kombëtar. Ajo do ta lidhë Kosovën me korridoret, që kalojnë pranë nesh, por nuk janë të lidhura me ne. Do t’i bashkojë edhe më fort ekonomitë tona dhe do të rrisë lëvizshmërinë dhe lidhshmërinë ndërmjet republikave tona.
Ndërkohë që krahas unifikimit të abetares për nxënësit e klasës së parë, njësuam edhe procedurat për aplikim dhe regjistrim të studentëve në universitete, si dhe nisëm punën madhore për Enciklopedinë Shqiptare.
Shumë është bërë. Edhe më shumë duhet bërë.
/TV Malisheva