Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se komunitetet në vend kanë qenë të përkrahura përgjatë dy viteve nga Qeveria e tij. Sipas Kurtit, të njëjtën nuk e kanë bërë Qeveritë e kaluara.

Në tryezë me temën “Pakicat në Kosovën e pavarur”, shefi i ekzekutivit tregoi për mbështetjen që u ka dhënë bizneseve të komuniteteve.

Ai u zotua që asnjë qytetarë nuk do të diskriminohet në Kosovë, teksa tha se qindra biznese e familje kanë përfituar nga Qeveria.

“Kosova është shteti ynë i përbashkët në të cilin duhet që të kemi edhe mirëqenie edhe siguri, dhe kjo është prioritet i qeverisë. 2 vitet e fundit qeveria ka mbështetur të gjitha komunitete. Kemi mbështet rreth 800 mijë familje. I kemi mbështetur 123 biznese të vogla të komuniteteve, i kemi ndarë 96 grandë për organizata për komunitete jo shumicë. Që nga fillimi ne i kemi mbështetur komunitetet më shumë se çdo Qeveri. Qeveria është angazhuar që asnjë qytetarë të mos diskriminohet dhe të gjithë së bashku me të gjitha komunitet do të punojmë që ta ndërtojmë rrugën evropiane. Kosova është i vetmi atdhe që kemi. Unë ju shprehi mirënjohje secilit prej jush për rolin e juaj që luani në shoqëri”, tha ai.

Zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave dhe të Drejta të Njeriut, Emilija Redžepi, tha se 17 shkurti është ditë historike për Kosovën. Ajo i përmendi edhe të drejtat e komuniteteve që u takojnë me Kushtetutë.

Ndonëse nuk është e kënaqur me përfaqësimin e komuniteteve në institucionet shtetërore, Redžepi tha se ka shpresa që këtë mund ta bëjë Albin Kurti.

“Me shpalljen e pavarësisë Kuvendi ka vendosur që do të garantoj të gjitha të drejtat për komunitete që jetojnë në Kosovë. Kushtetuta e Kosovës pranon komunitete të ndryshme, të cilat kanë të drejta të barabarta. Me ligj është e ndalur çfarëdo lloj i diskriminimit të komuniteteve. Kosova sot është shtet rajonal demokratik ku secili komunitet mund t’i realizoj të drejtat e veta. I kemi institucionet shtetërore ku marrin pjesë të gjitha komunitete, a jemi të kënaqur?, jo, sepse numri është i vogël. Por i kemi shpresat tek kryeministri jonë”, tha Redžepi.

Ministri për Kthim dhe Komunitet Nenad Rashiq, tha se në Kosovë ka diversitet dhe se kjo është një vlerë e madhe.

Ai falënderoi Kurtin për ndihmën që është duke e dhënë ndaj komunitetit serb.

“Vetë në fillimin e i karrierës sime kam folur që diversiteti që është në Kosovë është vlera më e madhe. Dhe kjo vlerë duhet që të kultivohet dhe të fuqizohet. Më vjen mirë që në këtë bazë ekziston një komunikim i mirë. Unë e kam pas nderin që Ministria për herë të parë të shpallë një ftesë publike për të aplikuar pakicat dhe sot çdo ditë ka aplikime. Ftesën e kam hapur për ndërtimtari, pako ushqimore… unë dua që të falënderoj kryeministrin për përkrahjen që i ka ofruar edhe mua edhe popullit tim, por unë kërkoj përsëri ndihmën e tij”, tha ai.

E ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, tha se Kosova është shteti ku të gjitha komunitetet jetojnë në harmoni të plotë.

“Kosova është vendi më i ri në Evropë dhe tani feston 15-vjetorin e pavarësisë. Në vendin tonë jetojnë komunitete si shqiptarë, turk, serbe, romë, egjiptian… dhe shumë komunitet të tjera ku jetojnë së bashku në harmoni dhe në miqësi dhe kështu duhet që më tutje dhe se bashku të zhvillojmë shtetin tonë. Vite më radhë kemi pasur probleme politike dhe tani më jemi në një fazë ku është duke vazhduar dialogu Kosovë -Serbi, me ndërmjetësim e BE-së. Tani jemi në pjesën e qeverisë që është duke luftuar padrejtësinë në interes të popullit”, tha ai.

/TV Malisheva

Share.