Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke komentuar draftin e propozuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se në vend se të dalë me propozim Rama për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, duhet të ketë draft për shqiptarët në Luginë të Preshevës.

Kryeministri Kurti në një konferencë për media, ka ftuar kryeministrin Rama që draftin t’ia propozojë presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq në takimin e radhës të “Ballkanit të Hapur”.

Madje, Kurti theksoi se edhe Kushtetuta e Shqipërisë mundëson mbrojtjen e të drejtave kombëtare të popullit shqiptar që jetojnë jashtë kufijve të saj.

“Nuk kam dyshim që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama beson që propozimi i tij për Draftstatutin është i mirë, dhe duke qenë kështu atëherë unë çka propozojë është që kryeministri Rama këtë draft për pakicat kombëtare t’ia propozojë presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq më së largu në takimin e radhës të Ballkanit të Hapur për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Pa dyshim që kryeministri Rama beson që ky është një model i duhur, model i mirë, atëherë do të duhej që këtë t’ia bënte si propozim presidentit të Serbisë për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë, dhe Bujanoc, aq më tepër që neni 8 pika 1 e Kushtetutës së Shqipërisë, thotë që: republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jetojnë jashtë kufijve të saj”, ka theksuar Kurti.

Kryeministri Kurti ka thënë po ashtu se beson që modeli i Ramës është mirë, por sipas tij, drafti në vend se t’i propozohet për serbet në Kosovë në Parsi e në Berlin, t’ia propozojë Beogradit për shqiptarët në Serbi.

“Pra propozimi im është që duke besuar në atë që beson Rama që modeli i tij është i mirë dhe e duhur, në vend se t’i propozohet për serbet në Kosovë në Paris e në Berlin, t’ia propozojë Beogradit për shqiptarët në Serbi”, tha ai.

Megjithatë, Kurti tha se ende nuk e ka parë draftin që kryeministri Rama ua ka dorëzuar presidentëve, në Gjermani dhe Francë për Asociacionin.

Kurti në konferencën për media ka folur për takimin e sotëm me ambasadorët e vendeve të QUINT-it, ku ka thënë se ka paraqitur vullnet të plotë për depërshkallëzimin e situatës në veri të vendit.

Ai ka thënë se gjatë të hënës ka pasur disa biseda telefonike me ndërkombëtarët, dhe se Kosova është e interesuar që të gjendet një zgjidhje për shtensionim të situatës.

/TV Malisheva

Share.