Kryeministri Albin Kurti gjatë një takimi me ambasadorin e parë rezident të Belgjikës në Prishtinë, Gregoire Cuvelier, deklaroi se Kosova shpreson në mbështetjen e Belgjikës edhe më tutje, në proceset integruese euro-atlantike.

Ai po ashtu tha se një mbështetje të tillë nga Brukseli zyrtar e pret edhe në përmbylljen e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, kandidaturën për anëtarësim në BE, përfshirjen e Kosovës në programin Partneritet për Paqe të NATO-s si dhe anëtarësimin në NATO.

Në takim u tha se ngritja pozitive në marrëdhëniet bilaterale mes Kosovës dhe Belgjikës, përfshirë vendimin e Brukselit zyrtar për të ngritur përfaqësinë diplomatike në Kosovë në nivel ambasade, si dhe emërimin e ambasadorit të parë rezident, Gregoire Cuvelier.

Duke vlerësuar marrëdhëniet dypalëshe, të përqendruara në rritjen e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe sigurisë, kryeministri Kurti shprehu gatishmërinë për thellim të mëtejmë të bashkëpunimit.

U bisedua lidhur me situatën aktuale dhe sulmin terrorist nga ana e Serbisë më datën 24 shtator në Banjskë. Ambasadori belg shprehu ngushëllime për policin e rënë në detyrë, Afrim Bunjaku, si dhe uroi shërim të shpejtë policëve të lënduar. Kryeministri gjithashtu shprehu ngushëllime për jetët e humbura nga sulmi në Bruksel.

Ndryshe, nga 1 janari deri më 30 qershor 2024, Belgjika do të ketë Presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian, të cilën kryeministri Kurti e veçoi si një mundësi për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në lidhje me integrimin evropian të Kosovës.

/TV Arbëria

Share.