Kryeministri në detyrë, Albin Kurti i shoqëruar edhe nga ministri Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku ka takuar bordin e Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, institucion ky të cilin ka thënë se është shumë i rëndësishëm për vendin.

Nga aty, Kurti tha se marrëveshjen për fluturime me Serbinë e ka marrë të finalizuar, ndërsa u shpreh se duhet ta lënë të qetë Gjykatën Kushtetuese për të marrë vendimin përfundimtar rreth dekretit të Thaçit për Hotin si mandatar për kryeministër.

Në lidhje me bashkëpunimin me Serbinë, Kurti theksoi se duhet të kihen parasysh dy gjera themelore si kushtetutshmëria dhe ligjshmëria e Republikës së Kosovës dhe rentabiliteti ekonomik.

Kurti: Marrëveshja për fluturimet e mora të finalizuar

“Ne dimë versionin final të asaj marrëveshje që mua më është prezantuar me vonesë, pra atëherë kur edhe negocimi, edhe draftimi i saj kishin përfunduar. Mund të them që ne jemi për sa më shumë bashkëpunim rajonal, mirëpo ky bashkëpunim duhet të ketë parasysh dy gjëra themelore: E para është kushtetutshmëria dhe ligjshmëria në Republikën e Kosovës dhe e dyta është rentabiliteti ekonomik. Pra, të gjitha bashkëpunimet tona të cilat përfshijnë bashkëpunimin ekonomik do të duhej që të jenë të leverdishme dhe si të tillë të qëndrueshme. Tash, ajo nuk është në kuptimin e plotë të fjalës, një marrëveshje, më shumë është një shprehje e interesit e cila duhet të kalojë edhe në shumë hapa të tjerë për t’u bërë marrëveshje. Veçse ndodhemi në kushtet e pandemisë së COVID-19 që ka ngrirë një varg aktivitetesh dhe procesesh e njëri prej tyre është edhe ky”, deklaroi Kurti.

Në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese rreth dekretit të presidentit Thaçi, kryeministri deklaroi se duhet ta lëmë në qetësi këtë institucion për të marrë vendimin profesional dhe meritor.

Ndërsa, shtoi se ai është duke punuar me të gjithë kompetencat dhe nuk do t’i pengojnë skenarët për Qeverinë Hoti.

Kurti: Kushtetuesen ta lëmë të qetë, po vazhdoj punën me kompetencat e mija

“Besoj që duhet ta lëmë të punojë në qetësi Gjykata Kushtetuese, ajo i ka aktgjykimet e saj nga rastet e mëhershme. Ekziston përvoja dhe praktikat e deritanishme, e kemi kushtetutën tonë, dhe le të punojë në qetësi për vendim profesional e meritor. […] Kosova është shtet i pavarur e ka kushtetutën, i ka ligjet e veta dhe unë punoj me gjithë dije e kompetencat që kam dhe nuk do të mund të na pengojnë insinuatat e tilla qofshin ato edhe presidenciale”, vijoi Kurti.

Në lidhje me vizitën e tij te Autoriteti i Aviacionit Civil, Kurti u shpreh se kjo agjenci është shumë e rëndësishme për ekonominë dhe sigurinë e transportit ajror të vendit.

Ai shtoi se erdhën këtu për t’i shprehur mbështetje punës së bordit dhe ushtruesit të detyrës së drejtorit të përgjithshëm.

Kurti: AAC është i rëndësishëm për ne

“Si qeveri e Republikës së Kosovës, duam ta forcojmë shtetin e Kosovës dhe AAC është tejet i rëndësishëm për neve. U njoftuam nga drejtori se kanë bërë shfuqizimin e një rregulloreje që praktikisht është ndryshuar në korrik të vitit të kaluar dhe sot është vetëm dita e 6 në punë e drejtorit, deshëm që të vijmë qysh në javën e parë në mënyrë që t’ia shprehim mbështetjen tonë si qeveri në detyrë për detyra të rëndësishme të këtij institucioni të shtetit tonë”, tha Kurti.

Ndërsa ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të AÇ, Arianit Islami, tha se vizita kryeministrit i motivon ata për punë dhe se duan të kenë bashkëpunim me të ngushtë me Qeverinë e Kosovës.

Islami: Duam që të gjitha operimet të jenë të sigurta

“Ne i treguam sfidat me të cilat ballafaqohemi edhe pse jemi një institucion jo i madh për nga numri, por siç e përmendi edhe kryeministri Kurti shumë i rëndësishëm për nga rëndësia për shkak se bëjmë mbikëqyrjen e sigurisë së fluturimeve. Së bashku ne biseduam, i treguam problemet dhe sfidat dhe do të kemi një bashkëpunim edhe më të ngushtë me qeverinë dhe operatorët që të sigurohemi që të kemi sa më shumë trafik, njëherit që të gjitha këto operime të jenë të sigurta dhe të nivelit evropian”, përfundoi Islami./ Tv Malisheva

Share.