Kryeministri Albin Kurti kujtoi fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje para dy vitesh me një foto ku shihet me partnerët e koalicionit qeverisës, të përfshirë atë kohë në listën e partisë së tij, në zyrën e tij në ndërtesën qeveritare.

Kurti, i shoqëruar nga kreu i Kuvendit, Glauk Konjufca, ishte edhe me të dy kryetarët e Listës Guxo, njëherit ministra, Donika Gërvallën dhe Faton Pecin, ndërsa ishte edhe kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, shefe e Grupit Parlamentar të LVV.

Kurti shkroi se janë bashkë sot sikurse para dy vitesh dhe përballë detyrave.

“Bashkë sot, sikurse me 14 shkurt 2021, sikurse në secilën ditë të këtyre dy viteve. Bashkë përballë sfidave e detyrave që kemi përpara. Me përkushtim që nuk zbehet. Me përgjegjësi që rritet”, shkroi Kurti.

Ai shtoi se fitorja e shkurtit 2021 ishte ndryshe sepse sipas tij ishte vet ndryshimi demokratik.

“Ishte fitore, sepse fituan qytetarët dhe e gjithë shoqëria. Ajo na rikujton më së miri vullnetin dhe pritjet e popullit, të cilit do t’i shërbejmë çdo ditë me përpikmëri dhe devotshmëri. Bashkë deri në realizimin e plotë të zotimeve tona për punësim dhe drejtësi”, përfundoi Kurti.

Dy vjet më parë, nata e 14 shkurtit nxori Vetëvendosjen fituese të zgjedhjeve me rezultat të thellë përballë partive të tjera. Pak ditë më vonë, pas numërimit të të gjitha votave, u konfirmua ajo që nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë në historinë e zgjedhjeve në Kosovë.

Një parti politike, e vetme kishte marrë mbi 50% të votave. Ky rezultat i mundësoi Lëvizjes Vetëvendosje që ta krijonte e vetme kabinetin qeveritar.

 

Share.