Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se sipas Bankës Qendrore të Kosovës, në pesë vitet e fundit në Kosovë kanë hyrë 4.54 miliardë euro si remitenca dhe 1.54 miliardë euro si investime të huaja direkte, por mërgata është shumë më tepër sesa kontribuese kyçe në ekonominë e vendit.
Në përmbyllje të qëndrimit dyditor në Strasburg, Kurti në një organizim të Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës në Strasburg, u mirëprit e bashkëbisedoi me mërgatën tonë në Francë, Gjermani, Zvicër, Belgjikë e Luksemburg.
Ai prezantoi para tyre punën dhe arritjet e Qeverisë, që javën tjetër mbush dy vite nga formimi i saj, dhe qasjen e Qeverisë për mërgatën, e cila ruan një vend të veçantë dhe gëzon vëmendjen e plotë nga qeveria.
“Këtë, e kemi reflektuar edhe përmes programeve të “Dialogut me Mërgatën” dhe ai i ”Diplomacisë Qytetare”, tek puna për komisionin ad-hoc për reformën zgjedhore i cili po merret me realizimin e suksesshëm të votimit nga jashtë vendit, e ligjit dhe strategjisë për angazhimin e mërgatës”, tha ai.
Kryeministri Kurti përmendi dhe krijimin e Fondit Sovran, i cili do t’i marrë nën pronësi asetet strategjike të Republikës së Kosovës, për t’i valorizuar ato, për mundësimin e investimeve të jashtme dhe qasjen në tregje të huaja të kapitalit.
“Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, në pesë vitet e fundit në Kosovë kanë hyrë 4.54 miliardë euro si remitenca dhe 1.54 miliardë euro si investime të huaja direkte. Por mërgata është shumë më tepër sesa kontribuese kyçe në ekonominë e vendit. Atë e shohim dhe si një burim shumë të rëndësishëm të dijes dhe përvojës për Kosovën, e cila mund të ndihmojë në rritjen e kapaciteteve dhe aftësive të profesionistëve e të organizatave. Përvoja dhe njohuritë që mërgata i sjell në atdhe, janë një burim jashtëzakonshëm i pasurisë dhe mund të ndihmojnë në ngritjen e zhvillimit ekonomik dhe social në Kosovë. Gjatë këtyre dy viteve, si Qeveri kemi shtuar dyert për bashkëpunim me mërgatën. Një shembull i tillë është bashkëpunimi në sektorin e arsimit dual me Fondacionin Besa me bazë në Gjermani, apo partneriteti me Shoqatën e Inxhinierëve në Zvicër me Ministrinë e Ekonomisë. E dyert tona të bashkëpunimit mbeten gjithmonë të hapura për mërgatën dhe e admirojmë vullnetin e tyre për të bërë gjithmonë më shumë”, tha ai.
Kryeministri Kurti i falënderoi për interesimin e vazhdueshëm dhe kontributin e pareshtur të tyre për vendin dhe shtetin përgjatë secilës fazë të tij.