Pas katër vjet studime diplomoi gjenerata 2023 e kadetëve të Qendrës për Studime Universitare, duke i shtuar Forcës së Sigurisë së Kosovës edhe 15 oficerë të rinj. Në ceremoninë e diplomimit, kryeministri i vendit, Albin Kurti, deklaroi se Kosova nuk e forcon ushtrinë për të sulmuar të tjerët, por për të qenë mjaftueshëm e fortë në mbrojtjen e vetvetes.
Kurti u tha oficerëve që Forca është ndërtuar mbi themelet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe që e njëjta në një të ardhme të afërt do të jetë pjesë e NATO-s.
“Të dashur kadetë, nga sot jeni të gatshëm që përveç gradës së oficerit mbi supet tuaja të bartni edhe përgjegjësitë që u janë besuar për të mbrojtur sovranitetin dhe tërësinë territoriale të republikës, ruajtjen e jetës së qytetarëve dhe mbështetjen e paqes dhe të sigurisë në rajon dhe në botë. Mundi dhe përpjekjet katër vjeçare sot po ju shpaguhen, duke pranuar titullin e oficerëve të republikës dhe të forcës që u ndërtua mbi themelet e ushtrisë çlirimtare të Kosovës, të kësaj force që në një të ardhme të afërt do të jetë pjesë e NATO-s, aleancës që mbështeti politikisht dhe ushtarakisht çlirimin dhe lirinë e vendit tonë”, tha Kurti.
Kurti tha se gjatë dy viteve të para të qeverisjes se tij janë trajnuar jashtë vendit 3 mijë e 325 ushtarak.
“Gjatë dy viteve të para të qeverisjes sonë 3 mijë e 325 ushtarak janë trajnuar jashtë vendit, mbi tetë herë më shumë sesa në vitet 2019 e 2020 kur ishin vetëm 381. Kemi lidhur marrëveshje bashkëpunimi me mbretërinë e bashkuar, me Shqipërinë, me Letoninë, me Mali ne Zi, me Maqedoninë e veriut dhe me Kroacinë, janë në proces marrëveshjet sofa me Gjermaninë, me Turqinë, me Jordaninë dhe Kroacinë…Për dy vite janë rekrutuar 1 mijë e 240 ushtarë të rinj, në proces të rekrutimit janë edhe 612 ushtarë të rinj dhe 388 rezervë. Me 2240 ushtarë më shumë brenda dy viteve radhët e forcës tonë janë shtuar për 83%. Ne nuk e forcojmë ushtrinë për të sulmuar të tjerët por për të qenë mjaftueshëm të fortë për të mbrojtur vetveten, për një Kosovë më të sigurt, me të drejt e më të barabartë për të gjithë”, tha ai.
Ndërsa komandant i QSU-së, major Albion Ajvazi, u rikujtoi ushtarëve përgjegjësinë e madhe që kanë tani e tutje, derisa u shpreh krenar për angazhimin e tyre të deritanishëm.
“Ndërsa vazhdoni në fazën tjetër të karrierës suaj ushtarake, dua të ju rikujtoj përgjegjësinë e madhe që vjen, dhe privilegjin e të qenurit oficer ushtarak. Zgjedhjet që ju bëni, veprimet që ju ndërmerrni dhe vendimet që përballeni do të kenë një ndikim të madh në jetën e të gjithë atyre nën komandën tuaj, si dhe në sigurinë dhe mirëqenien e vendit tonë. Gjithmonë mbani në mendje peshën kësaj përgjegjësie dhe besimin që është vënë në supet tuaja. Ne kemi besim të plotë në aftësinë tuaj për të bërë ndryshime pozitive në Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe jo vetëm, udhëhiqni me integritet dhe guxim dhe padyshim që do të i frymëzoni ata që i rrethojnë”, tha ai.
E në emër të klasës 2023, kadeti Arianit Hoxha, e siguroi komandantin se do të jenë gjithmonë të gatshëm për zbatimin e detyrave.
“Prej nesh FSK dhe atdheu presin shumë, nga ana jonë zotohemi që do të jemi gjithmonë të gatshëm dhe të palodhshëm në zbatimin e të gjitha detyrave që na presin për mbrojtjen dhe sigurinë e atdheut, që kombi ynë të jetojë, punojë dhe zhvillohet në paqe. Klasa 2023 të bashkuar, të pandashëm dhe të pathyeshëm, të rreshtuar para jush ju sigurojmë që me nder, vullnet, besnikëri e devotshmëri do t’i shpërbejmë Kosovës sonë të lirë deri në frymën e fundit, do të jemi gjithherë në krye të detyrës”, tha ai.
Ai theksoi se gjithmonë do të kenë në mendje sakrificat e dëshmorëve dhe të rënëve për lirinë e vendit.
Në ceremoni padyshim nuk mungoi as ekzekutimi i drillit ceremonial nga garda ceremoniale e kadetëve.
Ndërsa në fund të saj, ushtarakët u betuan para komandantit të QSU-së ndërsa morën edhe diplomat të cilat u ndanë nga kryeministri Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj si dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari.
/TV Malisheva