Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se veteranët e luftës meritojnë më shumë se paga minimale, por për të rritur pensionet e tyre, fillimisht duhet të ketë pastrim të listave, raporton TV Malisheva.

Ai tha se fillimisht duhet pastrim i listave të veteranëve dhe pastaj rritje të pensioneve të tyre.

Kurti: Rrëfimi për luftën çlirimtare nuk guxon të dëmtohet përmes listave të fryra

“Dëshiroj të ketë vlerësim më meritor dhe dinjitetshëm për të gjithë veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata meritojnë edhe më shumë se paga minimale, por ajo nuk mund të jetë pagë, pasi e njëjta jepet për punë. Ka shumë veteranë që kanë nevojë për vende pune, por për luftën çlirimtare duhet të ekzistojë një vlerësim meritor edhe material, veçse nuk duhet të mashtrojmë as vetën dhe gjeneratat e ardhshme me numër të fryrë, gati në trefishim. Prandaj është e domosdoshme që të kemi pikënisje të vërtetën, pastaj të kemi vlerësimin e duhur. Ne kemi trashëguar një gjendje ku janë fryrë padrejtësisht, gabimisht dhe dëmshëm listat me veteranë të luftës çlirimtare. Unë kam respekt të pafund për gjithë veteranët e UÇK-së dhe e kuptoj se edhe ata që janë regjistruar si veteranë, kur iu është ofruar pa qenë të tillë e kanë bërë këtë, ndoshta edhe nga halli, por rrëfimi për luftën çlirimtare nuk guxon të dëmtohet përmes listave të fryra”, the ai.

Derisa edhe sqaroi se a është veteran i vërtet i UÇK-së, pas akuzave të opozitës se ai është veteran i rrejshëm.

Kurti: Unë kam punuar në zyrën e përfaqësuesit të përgjithshëm të UÇK-së, Adem Demaçit

“Unë kam punuar në zyrën e përfaqësuesit të përgjithshëm të UÇK-së, zotëri Adem Demaçit. Të gjithëve neve që kemi punuar aty, kolektivisht u patëm regjistruar dhe me këtë rast, dua të theksoj se as kompensimin si ish i burgosur politik dhe as këtë për kontributin në luftën çlirimtar nuk e kam pasur dhe nuk e kam ndërmend t’i marrë”, theksoi Kurti. 

Share.