Kryeministri i vendit, Albin Kurti mori pjesë në ndarjen e çmimeve të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit “Art Without Limit”.

Me këtë rast, kryeministri Kurti ka veçuar kategorinë e filmave të shkurtër, që përcjellin mesazhin “Edhe ti mund t’ia dalësh”.

Po ashtu, Kurti tha se ndihet i gëzuar që mes figurave të suksesshme, të sheh emrin e Elion Palojes, i cili me interpretimin e mahnitshëm në piano, i ka mbetur në kujtesë nga prilli i vitit të kaluar, derisa tani, nëpërmjet filmit, audienca më të gjera do të mund të njihen me artin e tij.

“Nëpërmjet artit të shtatë, shoqëria do të njeh dhe çmojë mënyrat e panumërta me të cilat personat me nevoja të veçanta kontribuojnë në shoqëri. Të gjithëve do të na mësojnë më shumë për jetën nëpërmjet vetë jetës së tyre, gazetarja profesionale në Radio Kosovë, Lume Berisha; kampioni i notit nga Tirana, Gersi Troka, kampionja në gara me makina, teniserja dhe gjyqtarja profesionale e tenisit Samire Jupolli; sikurse edhe basketbollisti ynë Egzon Vatovci”, tha kryeministri Kurti.

Në këtë ceremoni, kryeministri tha se në shtator ishte në ceremoninë e Lojërave Paralimpike “Kosova 2023”, që këtë vit përfshijnë 13 disiplina sportive, teksa përmendi faktin se është shtuar shumëfish mbështetja financiare për Komitetin Paralimpik të Kosovës, nga 15 mijë euro sa ishte deri në vitin 2020, në 100 mijë euro tani, ndërkohë që po përgatitet një mbështetje të veçantë për pjesëmarrjen në Lojërat Paralimpike Paris 2024, që do të jetë e para në histori.

“Derisa e festojmë sonte dhe e nderojmë diversitetin së bashku, duke nderuar njerëzit me nevoja të veҫanta, ata duhet t’i nderojmë çdo ditë në ndërveprimin tonë, në komunikimin tonë, që t’ua shtojmë ndjenjën e përkatësisë, e t’ua mundësojmë jetën me dinjitet. Garantimi dhe avancimi i të drejtave të njeriut përveҫse çështje thelbësore në vetvete, është edhe shtytëse për shoqëri më të suksesshme”, tha kryeministri Kurti në fund të fjalës së tij.

Në përmbyllje të festivalit, Kurti ndau çmimin kryesor, që këtë edicioni i takoi filmit “Aggrappati a ME” të regjisorit italian, Luca Arcidiacono.

/TV Malisheva

Share.