Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se pret që “siguria për Kosovën e sulmuar dhe ndëshkimi për sulmuesit” të jenë çështjet të cilat do të diskutohen sot në Parlamentin Evropian. Ai e tha në cilësinë e pjesëmarrësit në tryezën e procesit të Berlinit.
Për debatin e jashtëzakonshëm lidhur me sulmin e 24 shtatorit në veri të Kosovës, Kurti tha se pret diskutime për sigurinë e Kosovës.
“Presim që të ndodh ndëshkimi për sulmuesit, në këtë rast Serbisë që e mbështeti ushtarakisht, financiarisht, politikisht, zyrtarisht atë që ndodhi në Banjskë të Zveçanit. Por në të njëjtën kohë edhe ekstradimi i të gjithë atyre që po ndjeken sepse ikën nga vendi i krimit. Më lejoni të përkujtoj se me datën 26 qershor në Kuvendin e Kosovës ne i kemi shpallur dy organizata terroriste, ‘Mbrojtjen civile’ dhe ‘Brigadën veriore’, të cilat kanë vepruar dhe veprojnë në territorin e Republikës së Kosovës në mënyrë ilegale”, ka thënë Kurti.
Ai u deklarua në tryezën e titulluar “Procesi i Berlinit: Arritjet e deritanishme, pritjet nga samiti i ardhshëm dhe përfitimet e mundshme nga Iniciativa e Përbashkët e Tregut Rajonal”, të organizuar nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS), në bashkëpunim me HD – Qendra për Dialog Humanitar.
/TV Malisheva