Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se zhvillimi i shkencës është prioritet i qeverisë së tij.
Në prezantimin e draft-programit kombëtar të shkencës, Kurti ka thënë se zhvillimi i shkencës është i domosdoshëm edhe për avancim ekonomik të Kosovës, që sipas tij do të gjenerojë edhe vende të reja të punës.
Kurti: Ky program synon gjenerimin e vendeve të qëndrueshme të punës dhe zhvillimin ekonomik
“Ky dokument strategjik synon zhvillimin e një ambienti të qëndrueshëm dhe përkrahës për kërkime shkencore dhe inovacion në Kosovë dhe buxhet të veçantë. Zhvillimi i shkencës është i domosdoshëm për avancimin ekonomik dhe shoqëror të Kosovës, transformimin e ekonomisë sonë në një ekonomi të bazuar në dije, të arritura shkencore, përdorim të teknologjive të reja dhe inovacion. Kërkimet në shkenca shoqërore ndikojnë edhe në zhvillimin gjuhësor, social dhe kulturor të vendit. Ky program synon gjenerimin e vendeve të qëndrueshme të punës dhe zhvillimin e ekonomisë së vendit”, ka thënë ai.
Ndërsa, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, e ka konsideruar të rëndësishëm diskutimin publik për draft-programin kombëtar të shkencës, i cili sipas saj do të inkorporojë orientimin për zhvillimin shkencor në Kosovë.
Nagavci: T’i hapim rrugë miratimit të programit kombëtar të shkencës
“T’i hapim rrugë procesit të rëndësishëm të miratimit të draftit të programit kombëtar të shkencës në Kosovë. Prezenca e kryeministrit Kurti në mesin tonë është tregues se Qeveria Kurti vazhdon të mbështesë, ashtu siç ka paraparë në programin e saj qeverisës, zhvillimin e përparimin shkencor të vendit në të gjitha mënyrat e mundshme. Shkenca në përgjithësi është një prej mënyrave themelore të përfitimit të njohurive”, ka thënë ajo.
Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Shkencës, Muzafere Limani, ka thënë se prioritet në programin kombëtar të shkencës janë digjitalizimi, tranzicioni i gjelbër dhe bujqësia.
Limani: Prioritet edhe implementimi i programit kombëtar të shkencës
“Dokumentin që sot e shpalosim para jush është një dokument që si pikënisje për punë e ka pasur programin e kaluar të shkencës, i cili ka qenë i paraparë për implementim për periudhën pesë vjeçare 2010-2015. Në kohën kur është hartuar ai program është vlerësuar si një ndër programet të mira në regjion, por analizën tonë e kemi thelluar në vlerësimin e sasisë së implementimit të atij programi në periudhën pesë vjeçare dhe një periudhë tjetër shtatë vjeçare të shtyrë të atij programi”, ka thënë ajo.
Programi kombëtar i shkencës është paraparë në periudhën 2023-2028.
/TV Malisheva