- Reklamë e sponsorizuar -

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka theksuar se punësimi e drejtësia në njërën anë dhe integrimi evropian e anëtarësimi në NATO në anën tjetër, janë prioritetet e qeverisë së re të Kosovës.

Këto komente Kurti i ka bërë gjatë pjesëmarrjes së tij në Samitin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), që po mbahet në Londër.

“Ne do t’i forcojmë qytetarët tanë ekonomikisht dhe do e përfaqësojmë vendin tonë sa më mirë politikisht”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Postimi i Kurtit:

Sot në Samitin e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) në Londër pata rastin të takohem me udhëheqësit e saj dhe të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Pikërisht sot bëhen tri javë nga votimi në Kuvend i qeverisë sonë, dhe gëzohem që në këtë ditë pata rastin të flas për rëndësinë e investimeve për ekonominë, ndërmarrësinë e të rinjëve tanë sidomos në teknologjinë informative, infrastrukturën që ndërlidh e mundëson zhvillim, raportet me Serbinë dhe parimin e reciprocitetit etj.

Punësimi e drejtësia në njërën anë, dhe Integrimi Evropian e anëtarësimi në NATO në anën tjetër, janë prioritetet tona si qeveri e re e Kosovës. Ne do t’i forcojmë qytetarët tanë ekonomikisht dhe do e përfaqësojmë vendin tonë sa më mirë politikisht.

Tashmë me Republikën e Shqipërisë kemi 77 marrëveshjeve të arritura – do t’i shtojmë energji e dinamikë të re implementimit të tyre. Si Qeveri e Kosovës do të bashkëpunojmë edhe me qeverinë e Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut në projektet e interesit të përbashkët duke synuar edhe mbledhje të përbashkëta të qeverive me ta. /TV MALISHEVA/

- Reklamë e sponzorizuar -