Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas në Serbi është përuruar shtatorja e ish liderit të lëvizjes çetnike gjatë Luftës së Dytë Botërore, Dragolub (Drazha) Mihailloviq.

Për këtë Kurti thotë se Serbia e sotme jeton në të shkuarën, duke shtuar se ky shtet mendon se luftërat nuk i ka përfundua ende dhe sulmi terrorist i 24 shtatorit në veri të Kosovës i shërben kësaj ideje.

”Serbia e sotme jeton në të shkuarën sepse konsideron që luftërat e saj nuk kanë përfunduar: as luftërat ballkanike nga fillimshekulli i kaluar, as ajo botërore në mes të shekullit XX dhe as kjo e viteve 1998-1999 në Kosovë. Sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit me 24 shtator sivjet është veçse edhe një betejë e atyre luftërave të papërfunduara nga pikëpamja e Beogradit zyrtar”, ka thënë ndër tjerash kurti.

Në Serbi ka pasur ditë zie për terroristët e vrarë në veri të Kosovës.

Më poshtë postimi i plotë i Kurtit:

Pas billbordeve që mbartnin mesazhin “Beogradi guxon”, dje në rrugën “Bregalnicka 24” në kryeqytetin e Serbisë u përurua shtatorja e ish liderit të lëvizjes çetnike gjatë Luftës së Dytë Botërore, Dragolub (Drazha) Mihailloviq. Përurimi u bë në oborrin e ish shtëpisë së familjes së tij, që pritet të kthehet në muze. Sinonimin e vuajtjeve të shumta mbi kurrizin e shumë popujve dhe mbi gjakun e mijëra njerëzve Serbia e përjetësoi në bronz. Nisjatorë për ironi ishte një shoqatë që thirrej në aktivitete humane dhe ekologjike. Kundërshtimi që u bë nga organizata e aktivistë të ndryshëm, ishte i kotë.

Rruga ku u bë përurimi quhej “Bregalnicka”, sipas betejës që Serbia ka zhvilluar gjatë Luftës së Dytë Ballkanike kundër Bullgarisë (1912-1913), në brigjet e lumit Bregallnica në Maqedoni të Veriut, përgjatë përpjekjeve të saj për zgjerim territorial. Pra, përjetësim i një lufte të zhvilluar në një vend tani anëtar i NATO-s (Maqedonia e Veriut), kundër një vendi që sot është anëtar i NATO-s e i BE-së (Bullgaria).

Thuhet se muzetë i shërbejnë mbrojtjes së të kaluarës. Por një gjë është strehimi i së kaluarës, e tjetërgjë shfajësimi i së keqes. Aq më shumë kur përkujtimi i përmallshëm aludon te përsëritja e dëshiruar.

Gjykata e Lartë në Beograd, më 14 maj 2015, e pat rehabilituar me aktgjykim prej 39 faqesh kriminelin e Luftës së Dytë Botërore, Dragolub Mihailloviq – Drazhën. Viteve të fundit, kishim mohimin publik të masakrës së Reçakut nga Aleksandar Vulin më 10 dhjetor 2019 dhe nga Aleksandar Vuçiq më 5 dhjetor 2021.

Serbia e sotme jeton në të shkuarën sepse konsideron që luftërat e saj nuk kanë përfunduar: as luftërat ballkanike nga fillimshekulli i kaluar, as ajo botërore në mes të shekullit XX dhe as kjo e viteve 1998-1999 në Kosovë. Sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit me 24 shtator sivjet është veçse edhe një betejë e atyre luftërave të papërfunduara nga pikëpamja e Beogradit zyrtar.

/TV Malisheva

Share.