Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e parë solemne me kabinetin qeverisës ka deklaruar se shanset për të pasur sukses qeveria e udhëhequr nga ai janë të mëdha.

Për këtë ai ka kërkuar angazhim maksimal nga secili ministër dhe kërkoi prej tyre punë në mënyrë kolektive dhe të mos ketë ndarje partiake.

Me të marrë detyrën e të parit të qeverisës, Kurti iu bëri me dije ministrave të tij se përkundër që i kanë zënë karriget e pushtetit, atyre do t’iu duhet më shumë të rrinë në këmbë për shkak të punëve të shumta që i presin.

Kurti: Sytë e të gjithë popullit tashmë janë te ky kabinet qeverisës

“100 ditët e para do të jenë ditë të zëna me angazhim dhe përkushtim maksimal. Karriget e kemi, por jam i bindur që më shumë do të rrimë në këmbë për shkak të punës të shumta të cilat na presin. Programi ynë qeverisës është ambicioz, aq sa janë pritjet e qytetarëve. Unë nuk kam dyshim se ne kemi aftësinë, guximin dhe shkathtësitë për t’i dhënë rezultatet që kërkohen prej nesh. Sytë e të gjithë popullit tashmë janë te ky kabinet qeverisës, rrjedhimisht te secili prej jush. Do të ishte mirë që të gjithë ne të mësojmë përmendësh programin tonë që del nga marrëveshja jonë e përbashkët. Sepse me të do të zgjohemi në mëngjes dhe ne të do të flemë në mbrëmje. Le të bëhemi të thjeshtë dhe të drejtë ashtu siç i kemi qytetarët tanë”, tha Kurti.

Krahas saj, shefi i ri i ekzekutivit tha se secili ministër duhet të kalojë kohë më shumë me qytetarët, e jo të rrinë ulur në kolltukët e tyre e të urdhërojnë nga lart.

Kurti: Shanset për sukses i kemi të mëdha

“Ministri i Bujqësisë do të kalojë më shumë kohë me fermerët sesa në zyrën e tij, e ministri i Shëndetësisë më shumë kohë duhet të kalojë me mjekë dhe pacientë. Pra, jo të rrinë ulur në kolltukët e të urdhërojnë nga lartë, por të zbresin nga afër te qytetari se atje është e vërteta jonë dhe atje shihen politikat tona. Mandati mund të jetë edhe privilegj, por mund të kuptojmë për të shërbyer e jo urdhëruar. Jepni kuptim pozitës së ministrit sa nuk ka pasur asnjë herë pasluftës. Shanset për sukses i kemi të mëdha, por duhet të punojmë si ekip. Sukseset dhe dështimet janë kolektive, e jo personale e aq më pak partiake. Partitë i kemi në parlament, atje i kemi grupet tona parlamentare, këtu punojmë si ekip. Në këtë Qeveri nuk do të ketë LVV, LDK, NDS e LS, por Qeveria e Republikës së Kosovës”, tha ai.

Pas votimit në Kuvendin e Kosovës si kryeministër i ri dje, Albin Kurti sot pranoi zyrtarisht detyrën e shefit të ekzekutivit në një ceremoni solemne.

Share.