Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar të dërguarin e Posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach. Shefi i ekzekutivit e ka njoftuar atë për qëndrimet e Kosovës lidhur me situatën në veri të vendit.
Kurti ka theksuar se veprimet e institucioneve të sigurisë synojnë zbatimin e ligjit ndërsa ka shprehur gatishmërinë e tij për takime të radhës të nivelit të lartë politik, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Qeveria e Kosovës ka njoftuar se takimi është zhvilluar mbrëmë vonë në Kryeministri.
“Kryeministri Kurti e njoftoi atë me veprimet dhe qëndrimet e Kosovës për sa i takon situatës së krijuar pas sulmeve dhe tensioneve të shkaktuara nga grupe të së djathtës ekstreme në komunat veriore, që lanë të lënduar dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it. Ai theksoi se veprimet e institucioneve të sigurisë kanë për synim zbatimin e sundimit të ligjit, teksa shprehu gatishmërinë e tij për takime të radhës të nivelit të lartë politik nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian”, ka bërë të ditur Qeveria.
/TV Malisheva