Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori sot pjesë në Konferencën hapëse të Javës së të Drejtave të Njeriut, të organizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR).

Kurti shprehu kënaqësinë që ishte për të tretin vit radhazi në konferencën hapëse të Javës së të Drejtave të Njeriut, që këtë vit shënon edicionin e dhjetë, ndërkaq i përgëzoi për përkushtimin e Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë përgjatë kësaj dekade.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryeministri tha se beson se të drejtat e njeriut, janë edhe thelbi edhe themeli i qytetërimit.

“Gjithçka bëhet aq e vështirë sa që e pamundur nëse nuk besojmë në të drejtat e njeriut dhe gjithçka bëhet aq e lehtë pothuajse, menjëherë e realizueshme atëherë kur besojmë në të drejtat e njeriut”, shtoi më tej. Me të gjithë këta, solidaritet, bashkëpunim për barazi edhe për dinjitet. E uroj që këto platforma për diskutim sikurse edhe kjo konferencë të shërbejnë për shkëmbime të dobishme e frymëzim të ri”, tha në përfundim të fjalës së tij, kryeministri Kurti.

Fjalimi i plotë:

Për bindjen, besimin tim, të drejtat e njeriut, janë edhe thelbi edhe themeli i qytetërimit.

Gjithçka bëhet aq e vështirë sa që e pamundur nëse nuk besojmë në të drejtat e njeriut, dhe gjithçka bëhet aq e lehtë pothuajse, menjëherë e realizueshme atëherë kur besojmë në të drejtat e njeriut.

Të drejtat e Njeriut e bëjnë bashkë barazinë dhe universalitetin, por nganjëherë keqkuptohet sepse besohet që të drejtat e njeriut na shquajnë si individë, të drejtat e individit.

Në një rrafsh kjo është e vërtetë, por ka edhe një rrafsh tjetër, të pashkëputshëm, që barazia na bën bashkë. Individët duke qenë të barabartë janë bashkë, pabarazia i ndanë njerëzit.

Andaj, të drejtat e njeriut njëmend na e garantojnë dinjitetin në ato 30 nenet e famshme të Deklaratës Universale të Drejtave të Njeriut, që po e ritheksoj rrënjët i ka në Revolucionin Amerikan dhe Francez. Pra, në atë deklaratë, njëmend individi është në qendër, mirëpo në anën tjetër jo individi si person i veçantë, por individi si cili do prej nesh dhe këtu është aspekti universal ajo që e kemi të përbashkët. Pra, individë nuk jeni thjeshtë ju cilado, e cilido prej jush dhe unë, individë jemi secili prej neve.

Kjo qasje e Deklaratës Universale të Drejtave të Njeriut, nëpërmjet barazisë, individit që është secili prej nesh dhe barazia është ajo që na bashkon bashkë me shoqërinë.

Andaj, të drejtat e njeriut do të duhej sa më shumë të shfrytëzohen edhe për të spikatur që secili prej neve është qenie njerëzore i pandashëm sepse individë, individuo- i pandashëm, nuk është dividuo është individuo, i pandashëm. Pra, secili prej neve është i pandashëm, por të gjithë jemi bashkë në shoqëri.

Kjo pikënisje është themeli edhe thelbi i qytetërimit. Kur të jeni të bindur për këtë, kur të besojmë në këtë, shumëçka për të mos thënë gjithçka bëhet shumë lehtë.

Andaj është kënaqësi të jem për të tretin vit radhazi në konferencën hapëse të Javës së të Drejtave të Njeriut, që këtë vit shënon edicionin e dhjetë. Përgëzime për përkushtimin e Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë përgjatë kësaj dekade.

Të drejtat e njeriut gjithashtu janë të ndërvarura dhe të ndërlidhura. Sikurse vet ne, njerëzit. Të gjithë njerëzit, mbarë njerëzimi është i ndërlidhur dhe asisoj janë edhe 30 nenet e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. Edhe kjo konferencë është shenjë e solidaritetit, por edhe e përgjegjësisë së përbashkët për respektimin e të drejtave të njeriut, si institucione dhe si shoqëri, për çfarë kemi detyrë që të angazhohemi në betejën për barazi në të drejta.

Unë besoj që solidariteti është solidaritet në vepër, është solidaritet në betejë dhe pikërisht duke qenë në betejë e në vepër, e ka brenda edhe simpatinë edhe empatinë; simpatinë si keqardhje për tjetrin që ngelet tjetri, por edhe empatinë, ku ti e paramendon veten në vendin e tjetrit.

Një shoqëri, në të cilën ka vetëm simpati pa empati, ku ti mund të ndjesh keqardhje për tjetrin, por ai ngelet fundamentalisht tjetër, pa empatinë, në të cilën ti fillon edhe e paramendon veten në këpucët e tjetrit, është shoqëri, e cila rrezikon që kritikën ta degradojë në dyshim. E unë këtu, e shoh një element të rëndësishëm të progresit të nevojshëm socio-politik e do të thosha kulturor të shoqërisë sonë. Të mos lejojmë, që kritika të degradojë në dyshim. Për ta mirëmbajtur kritikën të mos rrëzohet në dyshim, ku kemi të drejtë ta kritikojmë njëri-tjetrin, por jo apriori të dyshojmë për njëri-tjetrin, e arrin duke e shoqëruar simpatinë, që është më e kollajshme, me empatinë, që është më e vështirë, e që përfundimisht do të thotë solidaritet në betejën e përbashkët.

Nga barazia te gjithpërfshirja, nga përfaqësimi e pjesëmarrja te fuqizimi, nga drejtësia për qytetarët te transparenca dhe përgjegjshmëria e zyrtarëve, nga antikorrupsioni te antidiskriminimi, nga demokracia te siguria, na duhet të kemi bashkëangazhim me qasje hollistike dhe veprime konkrete.

Në këtë rrugëtim për të siguruar dinjitet dhe barazi për çdo individ, nuk mund ta neglizhojmë fuqinë e fjalëve dhe domosdoshmërinë e një mjedisi të lirë nga urrejtja dhe diskriminimi çfarë e shpjegoi gjerë e gjatë, kryetarja, drejtorja Shabiu e për çfarë unë pajtohem plotësisht. Andaj, edhe e kemi krijuar platformën “raportodiskriminimin.org”, të lansuar nga zyra ime vitin e kaluar. Ftoj qytetarët që të raportojnë për diskriminimin kudo që e hasin atë.

Qeverisja është shërbim demokratik, mbi të gjitha për ata të cilët i kanë të drejtat e shkelura, e sidomos së pari të drejtat më të shkelura, grupet e margjinalizuara, ata të cilët janë të diskriminuar, të stigmatizuar, të frikësuar.

Andaj, edhe po i avancojmë politikat, po forcojmë mekanizmat institucionalë dhe po rrisim buxhetimin e nevojshëm për zbatimin e ligjeve, dhe promovimin, respektimin e garantimin e të drejtave të njeriut.

Sa i përket raporteve tona brenda Qeverisë dhe me Kuvendin e Republikës, për çfarë foli drejtorja Shabiu, kodi civil në mbledhjen ku jemi 19 veta është votuar. 19 veta janë 15 ministra, tre zëvendëskryeministra dhe unë. Por duhet të votohet edhe në atë dhomën tjetër më të madhe ku janë 120. Dhe insistimi im është që ta bëjmë këtë. Po edhe ne kemi nevojë për ndihmë.

Kemi nevojë për më shumë vetëdijesim të të gjithëve, përfshirë deputetët, sidomos deputetët dhe për rritje të ndjeshmërisë. Pra, jo vetëm vetëdijesim, por edhe ndjeshmëri, të dyja nevojiten. Dhe për këtë unë jam jo vetëm i gatshëm, po edhe i interesuar të bashkëpunojmë.

Dhe do të mund të bashkëpunojmë maksimalisht për aq sa më lejon funksioni, ligjshmëria e kushtetutshmëria që do të thotë të mos mund të merrem edhe me atë se kush është kryetar i një komisioni të caktuar parlamentar ose kryetare, pavarësisht se mund të kenë mendimet e mia.

Andaj në frymë të partneritetit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe organizatave të shoqërisë civile, vazhdojmë të kemi diskutim të hapur për mënyrat e operacionalizimit të rekomandimeve të raporteve tuaja për të drejtat e njeriut, e sidomos për aty ku konstatohen shkeljet e të drejtave të njeriut, të pakicave etnike, të komunitetit LGBTIQ+, për ata që ndjehen ekstra siç thuhet, të atyre që janë të varfër, të atyre të cilët për një arsye ose tjetër kanë ngelur të pashkolluar, të paarsimuar dhe të atyre që i kanë aftësitë e kufizuara apo nevojat e veçanta dhe të atyre të cilët konsiderojnë pse janë fatkeq në jetë meqenëse kanë pasur një aksident ose edhe kanë bërë një zgjedhje të gabuar në jetë që po ju kushton për tërë jetesën e mëtutjeshme. Pra, me të gjithë këta, solidaritet, bashkëpunim për barazi edhe për dinjitet. E uroj që këto platforma për diskutim sikurse edhe kjo konferencë të shërbejnë për shkëmbime të dobishme e frymëzim të ri.

Ju faleminderit!

/TV Malisheva

Share.