Shefi i ekzekutivit nga Kosova ka folur haptas për mundësitë e sanksionimit të Kosovës, në rast se ai dhe qeveria e tij nuk e pranojnë planin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, i njohur në opinion edhe si plani franko-gjerman.
Kryeministri Albin Kurti tha të hënë në Kuvend se 5-shja e emisarëve të Perëndimit që para disa javësh qëndruar për disa orë në Prishtinë i kanë bërë të qartë se me planin e BE’së “nuk do të lejohet negocimi i tij”.
“Ata ma bënë të qartë se propozimi kryesor është pranë formatit ‘leje ose merre’”, u tregoi Kurti deputetëve.
Ndonëse në opinion vazhdon të lë shumë paqartësi nëse e ka pranuar përfundimisht ose jo planin e BE’së, Kurti në Kuvend të Kosovës i njoftoi deputetët edhe për pasojat që mund t’i ketë Kosova në rast të një përgjigje negative ndaj dokumentit të propozuar nga Perëndimi, që mbanë vulën e hartimit nga Franca e Gjermania.
“Ata gjithashtu ma bënë të qartë që çfarëdo refuzimi i propozimit do të shoqërohej me hapa kundërshtues e ndëshkues diplomatik për Kosovën dhe do te krijoj dobësim serioz te mirëbesimit ndërmjet nesh dhe shteteve te tyre”, tha Kurti, duke iu referuar takimit të 20 janarit me 5 diplomatët perëndimore.
“Qëndrimi i tyre ishte që i tërë aparati diplomatik e politik i shteteve nga vinin emisarët, është vënë në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe nuk mund të pritet një ‘jo’ nga Kosova sepse do të hynim në një rrugë të konfrontimit me ta”, tha shefi i ekzekutivit kosovar që vazhdon ta kundërshtojë krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, si “detyrim ndërkombëtarë” para “marrëveshjes së madhe” të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.
/TV Malisheva