Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka vizituar sot disa biznese në Komunën e Prizrenit, ku tha se janë shembull të prodhimit vendor.
Kurti së pari ka vizituar qumështoren “Sharri” në Prizren, nga ku tha se shteti i Kosovës duhet të jetë pranë këtyre prodhuesve që e mbajnë popullsinë me ushqim
Kurti tha se nga pronari i kësaj kompanie u njoftua për problemet që i kanë pasur gjatë kësaj kohe, derisa theksoi se qumështorja “Sharri” nuk e ka shfrytëzuar mundësinë që të përfitojë nga pako emergjente.
Kurti: Do t’i ndihmojmë fermerët
“Ne do ta ndihmojmë këtë hallkën e parë, pra fermerët, hallka e dytë janë industria ushqimore. Po të mos e harrojmë edhe hallkën e tretë që janë marketet shumë prej të cilave ua vonojnë shumë pagesat industrisë së qumështit. Kemi probleme edhe në këtë hallkën e tretë dhe nëse një hallkë nuk funksionon siç duhet atëherë i gjithë zingjiri dobësohet, sepse një fjalë e urtë thotë zingjiri është i fortë aq sa është hallka më e dobët, se zingjiri këputët në hallkën më te dobët. E të tri hallkat edhe fermerët edhe industria edhe tregu duhet të jenë të lidhura fuqishëm dhe të jetë secila prej tyre e fuqishme. Prandaj, edhe sa i përket fermerëve në njërën anë edhe sa i përket marketeve në anën tjetër që po i vonojnë pagesat madje edhe deri në dy muaj e gjysmë. Ne duhet të shohim bashkë se çka mund të bëjmë “, tha Kurti.
I pyetur se vizitat që po bëhen tek prodhuesit vendor edhe nga bashkëpartiakët e tij a është një lloj parafushate, Kurti tha se nuk i ndjek dhe se është kryeministër në detyrë.
Kurti: Unë jam kryeministër në detyrë
“Për besë unë nuk i ndjek ata edhe nuk di çka po më ngatërroni me ta, unë jam kryeministër në detyrë”, tha ai.
Ndërsa, pronari i qumështores “Sharri” Veli Halimi, tha se e ka njoftuar kryeministrin me problemet, sfidat dhe mundësitë investive në të ardhmen. Ndërsa, tha se beson që kryeministri do t’i jetë parasysh kërkesat e Shoqatës së Qumështarëve të Kosovës.
Halimi: Fermerët janë lënë pas dore
“Telashja më parësore për përpunimin e qumështit janë fermerët si hallkë e parë e këtij zingjiri ushqimor. Ata janë lënë thuajse pas dore dhe nuk ka pasur investime të mirëfillta nëpër stalla. Kur qumështi vjen nga hallka e parë e kualitetit të lartë qumështoret normal se do të prodhojnë një produkt shumë më cilësor…Jo neve nuk na rrezikuar fare ardhja e produkteve serbe, sigurisht janë vetëdijësuar konsumatorët se më së pari duhet t’i konsumojmë produktet vendore, e në mungesë të tyre atëherë të konsumojnë edhe produkte të huaja”, tha ai.
Ai tha se me konsumimin e prodhimeve vendore është mundësia që paratë të mbesin brenda në Kosovë.
Kryeministri Kurti, e ka vizituar edhe fabrikën e kabllove Proton Cable, për të cilën tha se është shembull i prodhimeve vendore.
Kurti: Proton Cable, shembull i prodhimtarisë cilësore vendore
“Këtë tel që e kam unë në dorë e i cili e ka diametrin çerek milimetri prodhohet pra në këtë fabrikë dhe më pastaj 45 fije të tilla përdridhen bëhen bashkë dhe shndërrohen në një tel të bakrit i cili e ka prerjen tërthore me sipërfaqe 2.5 milimetër katror dhe krenulati si lëndë e parë që importohet përpunohet në këtë fabrikë dhe shndërrohet në izolim të telit të bakrit, i cili i prodhuar me makinat e Siemens-it gjerman, praktikisht nuk ngec asgjë prodhimeve të njëjta në Bashkimin Evropian. Fatos Disa dhe Proton Cable janë shembull i prodhimtarisë cilësore vendore”, tha ai.
Ai tregoi edhe çka do të bëjë me telin e bakrit të cilin e mori në fabrikën “Proton Cable”.
Kurti: Telin e bakrit të mos e marrin të Negotinit e Zajaqarit
“Këtë tel është si suvenir nga fabrika, po shumë më e rëndësishme se me e marrë unë këtë tel e me qu si suvenir në shtëpi, është që të gjitha bizneset, ndërmarrjet në Kosovë të cilët kanë nevojë për telin e bakrit të mos e marrin të Negotinit e Zajaqarit sepse e kanë Proton Cable në Prizren”, tha ai.
Ndërsa, pronari i fabrikës Proton Cable, Fatos Dida, tha se tashmë dy vite e kanë marrë iniciativën për ta prodhuar telin e bakrit.
Dida: Prodhojmë edhe telin e bakrit e para në trojet shqiptare
“E kemi marrë që dy vjet iniciativën të prodhojmë edhe telin e bakrit e para në trojet shqiptare dhe jemi në fazën testuese dhe shpresojmë që të vini së shpejti në hapjen zyrtare të fabrikës së telit në kuadër te Proton Cable fabrikës së kabllove në Prizren”, tha ai.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti, gjatë ditës ka marrë pjesë në inaugurimin e Parkut të Inovacionit dhe Trajnimeve, dhe ka vizituar shkollën fillore “Naim Frashëri”./Tv Malisheva