Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se Kosova është ndër vendet me shifrat më të ulëta të inflacionit, krahasuar me vendet e zhvilluara evropiane. Ai tha të dielën se çmimet në Kosovë po vazhdojnë të rriten, por që kursimi është mënyra më e mirë për tejkalim të krizës.

“Me inflacionin jemi ndër vendet me shifrat më të ulëta, krahasuar me vendet e zhvilluara evropiane, sa i përket mbështetjes ekonomike që po i japim sektorit të energjisë, sipas ‘Financial Times’, Kosova është vendi i katërt në Evropë. Kjo mbështje është në disa forma”, tha Kurti të dielën, në Këshillin e Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas Kurtit, qytetarët nuk duhet të jenë pesimistë, por të kenë realizëm ekonomik, e të kursejnë pasi në kohë krize, sipas Kurtit, kursimi është patriotizëm.

“Çmimet po rriten, është mirë të kursejmë. Pra jo pesimizëm, por realizëm ekonomik. Kursimi në këtë kohë krize është patriotizëm. Ata që thonë mos kurseni duan t’iu vjedhin”, tha Kurti.

Kryeministri i vendit ka folur edhe për ministrat në qeverinë e tij, ku tha se do të vlerësohen në bazë të rezultateve të punës.

“Nuk kemi nevojë për mendjemëdhenj. Kush e merr një pozitë në qeverinë time, e merr për të shërbyer dhe jo për të sunduar. Ministrat dhe zëvendësministrat në Qeverinë e Republikës së Kosovës nuk janë shefa, janë udhëheqës të projekteve zhvillimore në përputhje me kushtetuetshmërinë dhe ligjet. Prandaj, modestia është cilësia që na duhet, sidomos në këtë kohë krize, e shoqëruar me vendosmëri që e kemi pasur përherë. Ministrat, zëvendësministrat dhe i gjithë stafi politik, e dinë që do të mund të ketë ndryshime dhe do të vlerësohen. Nuk do të merren për bazë influencat mediale të njërit apo tjetrit, por do të merren për bazë në vlerësim rezultatet e punës”, tha tutje ai.

Ai deklaroi se pandemia e COVID-19, post-pandemia, lufta në Ukrainë, sanksionet ndaj Rusisë, tensionet mes Kinës e Tajvanit si dhe kriza klimatike në botë, ka ndikuar në rritjen e krizës ekonomike.

“Jemi ekonomi e vogël, por jemi mësuar me vështirësi. Do t’ia dalim duke ndihmuar njëri-tjetrin. Qeveria do të angazhohet për të zbutur dhimbjen ekonomike që do të ndjejë pjesën më të ndjeshme të shoqërisë. Do të ketë vazhdimisht qasje zhvillimore për të ofruar investime të huaja direkte. Në aspektin gjeopolitik e gjeoekonomik, do të jemi me kahje atlantiste e europianiste. Korrupsioni te ne nuk ka vend. Aktorët që tentojnë ta shfrytëzojnë krizën, do të hasin në vështirësi. Do të afrohemi ekonomikisht me Shqipërinë. Politikat tona social nuk maten nga tekat e askujt. Pakoja e ringjalljes ka arritur në 7 për qind të brutoproduktit vendor. Jemi Qeveria që ka ndërmarrë më së shumti politika sociale, më shumë se secila qeveri tjetër”, tha ai.

/TV Malisheva

 

Share.