Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka kërkuar unitet mes spektrit politik në Kosovë, në raport me Serbinë.
Në seancën e Kuvendit, Kusari-Lila ka thënë se para agresionit serb në Kosovë, me rastin e kidnapimit të tre zyrtarëve policorë, legjislativi duhet të përçojë mesazhin e unitetit.
“Sot ky Kuvend me të drejtë e përçon mesazhin e unitetit dhe mesazhin se para agresionit të Serbisë të gjithë jemi bashkë, por mbi të gjitha jemi në krye të detyrës sonë si deputetë. Unë ndaj një mendim tjetër nga kolegët në raport me punën tonë sot. Po, pajtohem plotësisht dhe tashmë i kemi bërë ftesë kryeministrit që kur e ka kohen e përshtatshme të vijë dhe të diskutojmë temën me rëndësi të lartë për Kuvendin”, ka thënë ajo.
Ajo ka përmendur edhe fjalimin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, të mbajtur dje në Parlamentin Evropian, derisa ka thënë se në të njëjtën ditë presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq ishte krah për krah me ambasadorin e Rusisë.
“Dje presidentja e Kosovës mbajti fjalimin historik në Parlamentin Evropian, duke u thirrur në të gjitha vlerat ku secila parti që ka kaluar në këtë Kuvend ka përfaqësuar ndër vite, po ashtu duke e prezantuar Kosovën në ngjyra dhe mënyrën më të mirë të mundshme. Në të njëjtën ditë, presidenti i Serbisë është krah për krah me ambasadorin e Rusisë për të festuar ditën e Rusisë. Kjo është ndarja që Serbisë iu bë nga Rusia, gjithmonë në thonjëza”, ka deklaruar ajo.
/TV Malisheva