Shefja e deputeteve të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, tha se Qeveria e Kosovës nuk ka asnjë përplasje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës sa i përket Asociacionit, por tha se ka ndryshim mendimesh.

Gjatë konferencës për medie pas mbledhjes së Kryesisë, Kusari-Lila ka folur edhe për ftesën që u ka dërguar Ambasada e Amerikës në Kosovë.

Ajo ka thënë në këtë takim janë ftuar përfaqësues nga dikastere të ndryshme qeveritare e shoqëria civile, sipas saj të cilët mund të kontribuojnë në çështjen e Asociacionit.

“Qeveria e Kosovës nuk ka përplasje me SHBA-në, mund të kemi ndryshim mendimesh në raport me procesin e dialogut dhe Asociacionin. Ambasada e SHBA-së ka ftuar nga pozita ministra të dikastereve të veçanta që mendojnë se mund të kontribuojnë për çështjen e Asociacionit dhe partive opozitare dhe shoqërisë civile”, tha Kusari-Lila.

Sipas saj, sa i përket diskursit të diskutimit Qeveri-Ambasadë e Amerikës, tha se koordinohen mes vete por i kanë qëndrimet e tyre.

“Mendoj që koordinohemi por e kem të drejtën tonë dhe mbetet primare trajtimi i të drejtave të komuniteteve, plani i Ahtisarit është nga palët më të avancuara në raport me të drejtat e komuniteteve, prandaj në kontekstin e asaj se si do të zbatohet ky plan ne do të diskutojmë, si shoqëri jemi të interesuar që të vazhdojmë diskutimin dhe e shohim të vetmen formë të avancimit të mëtutjeshëm dialogun dhe mendoj se edhe diskutimi i nesërm është në këtë frymë”, tha Kusari-Lila.

Ajo tha se askush tjetër përveç Kuvendit të Kosovës, Qeverisë dhe Komunave nuk mund të marrë vendime.

“Asgjë nuk mund të bëhet nga dikush tjetër, në Kosovë janë organet vendimmarrëse, është Kuvendi, Qeveria dhe Komunat me qeverisje lokale, prandaj nuk ka formë ose mekanizëm tjetër që dikush jashtë këtyre institucioneve mund të themeloj, ekzistojnë nisma qytetarë apo të organizatave por në aspektin ligjor janë këto institucionet”, tha Kusari-Lila.

/TV Malisheva

Share.