Kuvendi i Shqipërisë dje ka zgjedhur Bajram Begajn president të Shqipërisë.
Bajram Begaj ka lindur në datë 20.03.1967, në Rrogozhinë. Ka përfunduar studimet në Fakultetin e Mjekësisë në degën Mjekësi e Përgjithshme në vitin 1989 dhe është titulluar oficer aktiv në specialitetin “Mjekësi” në vitin 1998.
Begaj ka përfunduar “Doktoraturën në Fushën e Mjekësisë” në Shqipëri, si dhe mban titullin “Profesor i asociuar” në Mjekësi.
Gjatë karrierës 31-vjeçare ushtarake ka kryer: kursin e lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen; shkollën e thelluar pasuniversitare të mjekësisë, specializimin pasuniversitar në profilin Gastrohepatologji, kursin e menaxhimit spitalor dhe kursin e lidershipit mjekësor strategjik, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe kursin e specializimit në fushën e mjekësisë dhe kursin e Shëndetësisë, në Greqi.
Gjeneral major Begaj mbajti postin e Komandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes në Forcat e Armatosura, ndërkohë që në 31 vitet e karrierës në FA ka mbajtur një sërë detyrash mes të cilave: shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake dhe zëvendësdrejtor Ushtarak i SUT, drejtor i Spitalit Ushtarak, drejtor i Inspektoratit Shëndetësor dhe Kryeinspektor dhe Këshilltar i Inspektoratit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm Ushtarak Qendror Universitar etj.
Begaj u dekretua nga Presidenti Ilir Meta në korrik 2020 si shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë./TV Malisheva