Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka njoftuar se me datën 4 qershor do të mbahet seancë plenare, ku edhe do të formohet komisioni hetimor për menaxhimin me pandeminë Covid-19.

Ajo pas mbledhjes së kryesisë, tha se sot kanë trajtuar propozimin e 22 deputetëve në lidhje me menaxhimin e pandemisë nga ana e qeverisë.

“Data 4 qershor është propozuar krijimi i këtij komisioni hetimor. Nuk ka pasur gatishmëri që të futen pethet parlamentare, dy çështje tjera të cilat ka pasur dakordim për seancë plenare kanë qenë raporti i shpenzimeve të buxhetit 2019. Për fat të keq as këtë herë nuk ka pasur konsensus për nismat legjislative. Ne duhet të presim edhe ca që të kemi konsensus të tillë”, tha ajo.

Sa i përket përfshirjes së Rusisë në dialogun me Serbinë, Osmani tha se nuk e sheh aspak të nevojshme dhe si ndihmesë.

“BE e ka rolin e vet dhe ShBA-të duhet të jenë të involvuara në formatin e vet”, tha ajo.

Sa i përket deputetit Etem Arifit, Osmani ka treguar se ka kërkuar nja interpretim edhe nga ana e Zyrës Ligjore të Kuvendit, dhe kësisoj ka shtuar se kuvendi nuk ka se çka të bëjë në këtë rast.

“Nga komisioni për legjislacion nuk kanë dhënë opinion por të shihen praktikat e mëhershme. Lëshimi është bërë nga Komisioni Qendror Zgjedhjeve, ku ai është mandatuar dhe ne nuk kemi se çfarë të bëjmë”, theksoi Osmani.

Kryetarja e parlamentit të Kosovës, Vjosa Osmani është pyetur dhe se a do të vazhdojë të jetë kryetare e deputetëve, në rast se do të formohet qeveria e re.

“Unë nuk mund të paragjykoj se cili do të jetë aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, për momentin është situatë hipotetike”, ka deklaruar ajo.

Osmani tha se bashkëpunimi ndërinstitucional është i rëndësishëm. Ajo tha se kanë shprehur gatishmërinë për bashkëpunim në mes tri institucioneve më të lartë.

Ndër të tjera, ajo tha se në nivel partiak dihet “botërisht” që nuk pajtohet me presidentin. Por që me Kurtin, tha se e dinë edhe zogjtë e malit që ka raporte të mira me të./ Tv Malisheva

Share.