Kuvendi i Kosovës sot do të vazhdojë punimet me pikat e mbetura nga seancat e kaluara, përkatësisht votimin e propozim-rezolutave dhe rekomandimeve, ndërsa në orën 11:00, do të mblidhet në seancë të re.

Seanca e re do të fillojë me pikat e zakonshme, deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare, ndërsa më pas pritet të bëhet shqyrtimi i parë i Projektligjit për parandalimin dhe luftimin e COVID-19 në territorin e Kosovës dhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së.

Seanca do të vazhdojë me zgjedhjen e dy anëtarëve të Këshillit Gjyqësorë të Kosovës, zgjedhjen e një anëtari të Këshillit Prokurorial të Kosovës nga radhët e fakulteteve juridike të Republikës se Kosovës, zgjedhjen e Kryesuesit të Komisionit Shqyrtues të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit, si dhe shqyrtimin e Propozim-Vendimit për caktimin e pagës së drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të Sekretariatit Ekzekutiv të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.

Po ashtu, deputetët pritet të shqyrtojnë edhe kërkesën e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë për miratimin e Buxhetit të këtij komisioni, si dhe atë të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes për zëvendësimin e anëtarëve në komisione parlamentare./Tv Malisheva

Share.