Me 65 vota pro, asnjë kundër asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës miratoi në lexim të dytë projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022.

Me këtë rishikim, buxhetit prej 2.7 miliardë euro i shtohen edhe mbi 150 milionë të tjera.

Në këtë rast, rishikimi i buxhetit nga qeveria është bërë vetëm për Ministri të Financave, dhe nuk prek ndonjë organizatë tjetër buxhetore.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha sa i përket rishikimit të rregullt buxhetor të mes vitit, do ta sjellin shumë shpejt në kuvend ku do të mund të adresohen edhe projektet për organizatat tjera buxhetore.

Murati: Sa i përket rishikimit të rregullt të mes vitit do ta keni shumë shpejt

“Rishikimin që e keni para jush e kemi nisur si rishikim të jashtëzakonshëm vetëm për një organizatë buxhetore, ligji për menaxhimin e financave publike parasheh që për ato organizatë që bëhet rishikimi të bëhen dhe konsultime dhe dëgjime buxhetore dhe në këtë raste këto dëgjime nuk janë bërë me asnjë organizatë tjetër, por vetëm me Ministrinë e Financave, sepse vetëm aty ka pasur plotësim ndryshim të buxhetit. Sa I përket rishikimit të rregullt të mes vitit do ta keni shumë shpejt, ku do të mund të adresohen edhe projektet për organizatat tjera buxhetore siç janë projektet në këtë rast që u prezantuan nga deputetja Ariana Musliu Shoshi”, theksoi Murati.

Kryetari i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, Armend Muja tha se komisioni ka trajtuar këtë projektligj përmes një grupi punues dhe rekomandon deputetët që ta votojnë këtë rishikim buxhetor.

Muja: Komisioni rekomandon votimin e këtij projektligji

“Komisioni e ka trajtuar përmes grupit punues, ka pasur vetëm një amendamentim dhe të njëjtin pasi e ka miratuar, i ka rekomanduar deputetëve të këtij kuvendi që ta miratojmë”, theksoi Muja.

Ndërsa, dy amendamente të propozuara nga deputetja e PDK-së, Ariana Musliu Shoshi nuk kanë marrë votat e mjaftueshme.

Ariana Musliu-Shoshi, deputete nga radhët e PDK-së ka propozuar dy amendamente pas kërkesës siç tha ajo të qytetarëve të fshatit Libeniq dhe Klinë e mesme të cilët kanë probleme me ujë të pijshëm dhe infrastrukturë jo të mirë .

Musliu Shoshi: I kam propozuar dy amendamente, për ujë të pijshëm dhe infrastrukturë në fshatin Libeniq dhe Klinë e Mesme të Skenderajt

“Të dyjat amendamentet të cilat i kam propozuar unë, kanë ardhur pas kërkesave të qytetarëve të fshatit Libeniqit, po ashtu e shumë qytetarëve apo banorëve të fshatit Klinë e mesme të Skenderajt, kërkesat nga qytetarët e Libeniqit është e tyre janë që të pajisen me ujë të pijshëm, fatkeqësisht nuk kanë ujë sjellës dhe nuk kanë ujë të pijshëm aty dimë që ka shumë banorë të cilët jetojnë po ashtu është njëri nga fshatrat që ka pësuar shumë nga lufta dhe i cili nuk ka as edhe burra as djem, ka vetëm gra dhe vajza dhe nuk ka kush që të përkujdesët për ta prandaj është shumë e rëndësishme që ata të pajisen me ujë të pijshëm, dhe e dyta ka të bëjë me rrugën në fshatin Klinë të mesme pra ka shumë banorë që banojnë aty dhe siguria e tyre është e cenuar pasi që nuk kanë rrugë që të udhëtojnë” ka thënë Musliu Shoshi.

Kjo seancë ka qenë e paraparë vetëm me këtë pikë të rendit, të ditës dhe me vazhdimin e pikave të tjera të rendit të ditës të mbetura nga seanca e dita e djeshme, ku pritet të shqyrtohet edhe TRUST-i.

/TV Malisheva

Share.