Emisari i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak, ka folur rreth vizitave që i ka zhvilluar në Prishtinë dhe Beograd bashkë me të dërguarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar.
Lajçak tha se rreth këtyre vizitave do t’iu raportojë vendeve të Bashkimit Evropian, derisa shtoi se ka shpresuar më shumë nga këto vizita.
“Udhëtuam në rajon me qëllim që të adresojmë situatën e tensionuar në veri të Kosovës të cilën e kemi parë të gjithë gjatë javës së fundit dhe të eksplorojmë potencialin për një zgjidhje politike”, tha Lajçak.
Ai theksoi se rreth situatës në veri ka pasur takime , me përfaqësuesit institucionalë dhe ata të opozitës.
“Në Kosovë u takuam me lidershipin më të lartë duke përfshirë presidentin Osmani, kryeministrin Kurti dhe zëvendëskryeministrin e parë Bislimi. Diskutimi ynë ishte i gjatë. Ne përcollëm shqetësimet tona për situatën në veri dhe theksuam nevojën për de-eskalim të menjëhershëm. Ne ripërsëritëm atë që BE-ja dhe SHBA-ja kanë kërkuar nga palët për: de-eskalim të menjëhershëm, zgjedhje të parakohshme me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës dhe kthim në dialog”, shtoi ai.
/TV Malisheva