Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak sot në Beograd ka dënuar fuqishëm sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjska, teksa ka përsëritur se nuk do të ketë të ardhme evropiane për Serbinë dhe Kosovën pa zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe të gjitha marrëveshjeve të mëparshme.
Përfaqësuesit e SHBA-së, BE-së, Francës, Gjermanisë dhe Italisë kanë qëndruar sot për vizitë në Kosovë dhe Serbi, me qëllim të ringjalljes së dialogut dhe inkurajimit të dy palëve që të angazhohen dukshëm më seriozisht në zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit ndërmjet dy vendeve.
Delegacioni përfshin përfaqësuesit specialë të SHBA-së dhe BE-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak, këshilltarët për politikën e jashtme të Presidentit të Francës dhe kancelarit gjerman, Emanuel Bonn dhe Jens Pletner, si dhe këshilltarin diplomatik të kryeministrit Itali, Alessandro Catana.
Lajçak tha se përfaqësuesit e BE-së dhe SHBA-së kanë pasur takime të gjata me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe se të dyja takimet kanë qenë shumë të rëndësishme.
Ai po ashtu ka kujtuar se Serbia dhe Kosova kanë hyrë në një fazë të re të dialogut dhe se të dyja palët pritet të fillojnë t’i përmbushin obligimet e tyre nga marrëveshjet e reja dhe të arritura më parë.
“Serbia dhe Kosova kanë hyrë në një fazë të re të dialogut në shkurt dhe mars dhe se të dyja palët pritet të fillojnë t’i përmbushin obligimet e tyre nga marrëveshjet e reja dhe të arritura më parë. Ne presim të shohim një zbatim të shpejtë të implementimit për të avancuar procesin e normalizimit”, tha Lajçak.
Lajçak tha gjithashtu se dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës do të jetë temë e takimit të krerëve të diplomacisë së BE-së të hënën, si dhe se do të diskutohet më vonë në Këshillin e BE-së.
Diplomati sllovak shtoi se procesi i dialogut është i rëndësishëm dhe se bisedimet e ndërmjetësve evropianë me Kurtin e Vuçiq do të vazhdojnë ditëve të ardhshme.
Ndryshe, i dërguari i BE-së Miroslav Lajçak dhe kolegu i tij amerikan Gabriel Escobar, të shoqëruar nga diplomatët më të lartë të Gjermanisë, Francës dhe Italisë, janë takuar sot në Prishtinë edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Ky i fundit deklaroi se nevojitet një “qasje e re” për të vazhduar dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Beogradin.
/TV Malisheva