Që kur Përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme Josep Borrell e emëroi atë të dërguar të posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës në vitin 2020, Miroslav Lajçak nuk e ka parë kurrë një tension kaq të thellë.
Në një intervistë për gazetën italiane “La Stampa”, Lajçak ka thënë se çështja nuk qëndron se kush e nisi, sipas tij nëse kjo krizë në mes të dy shteteve fqinje nuk përfundon, të gjithë do të humbasin.
“Tani të gjithë mendojnë se për atë që ndodhi është faji i tjetrit. Detyra jonë nuk është të vendosim se kush ka të drejtë apo kush e filloi, por t’i bëjmë Beogradit dhe Prishtinës të kuptojnë se janë përballë një ‘situatë humbje’. Nëse nuk ka kthim në normalitet, të dy duhet të humbasin”, tha ai.
Sipas tij, tani është koha për t’i ulur tensionet, teksa shton se nuk mund të ketë përshkallëzim dhe normalizim në të njëjtën kohë.
“Nuk mund të lejojmë që njerëz të vriten ose të plagosen, tani është koha për të ulur tensionet. Marrëveshjet që nënshkruam në shkurt dhe mars duhet të veprojnë si udhërrëfyes”, shtoi ai.
Teksa është pyetur se a është e vërtetë që përleshjet janë shkaktuar nga provokatorët serbë, të cilët kanë acaruar protestat, Lajçak ka theksuar se ka versione të ndryshme se kush e nisi dhe padyshim që në turmë kishte provokatorë.
/TV Malisheva