Në prezantimin e transferimit më të ri Ferran Torres te klubi i tij Barcelona, presidenti Joan Laporta u shpreh tejet i kënaqur me ardhjen e yllit spanjoll në “Camp Nou”.
Barcelona arriti marrëveshje në vlerë prej 55 milionë euro dhe 10 milionë të tjera në formë bonusesh, për ta transferuar Torres nga Manchester City, përcjell TV Malisheva.
Gjatë këtij prezantimi, kishte pyetje të shumta nga gazetarët, ku ndër to ishte edhe transferimi i yllit të Borussia Dortmund Erling Haaland.
Presidenti Laporta iu përgjigj kësaj pyetjeje, duke thënë që çdo gjë është e mundur nëse Barcelona i bënë gjërat ashtu siç duhet.
“Ne jemi duke punuar që të ndërtojmë një skuadër të fortë. Çdo gjë është e mundur nëse i bëjmë gjërat siç duhet. Dhe jam i sigurt që do t’i bëjmë”, tha Laporta.
“Top lojtarë janë të hapur që t’i bashkohen Barcelonës. Është e sigurt që jemi duke e rimarrë statusin tonë. Të gjithë në botë duhet të përgatiten, sepse ne jemi rikthyer, dhe do të bëjmë transferime të mëdha. Barça është ringjallur”, shtoi presidenti i Barçës.
Së fundmi, sipas spekulimeve që po qarkullojnë, destinacioni i radhës për Erling Haaland do të jetë Spanja, kështu duke alarmuar dy gjigandët e La Ligas, Real Madridin dhe Barcelonën.